Tahiri: Shkarkoje Liburn Aliun, rregulloje imazhin për liberalizim të vizave

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta shkarkojë ministrin Liburn Aliu, siç ka thënë ai “për ta rregulluar imazhin e Kosovës”, pasi Kurti tha se imazhi i keq është shkak i mos liberalizimit të vizave.

“The që kriteret teknike janë përmbush po imazhi është i keq. Pse nuk po e shkarkon Liburn Aliun, është me aktakuzë, nuk është mirë për imazh. Hiqe Liburnin deri kur Gjykata e jep verdiktin se është i pafajshëm apo i fajshëm. Mos i kontribuo dëmtimit të imazhit të Kosovës. Është një kritikë nga BE se njerëzit me aktakuza, nuk mundën me drejtu ministri, ti i ke. Hiqe. Mos i bë gabimet që i kemi bë në të kaluarën për me dëmtu procesin. E dyta, pse nuk po i ndan me neve planet për implementimin e këtij programi, ato nuk janë sekret”, u shpreh Tahiri.

Paraprakisht Kurti deklaroi se mos liberalizimi i vizave është çështje politike dhe jo teknike, pasi kriteret që janë teknike, janë plotësuar.

“Imazhi nuk është kriter teknik, por është bërë pengesë politike. Edhe komisioni evropian edhe parlamenti evropian e duan liberalizimin për Kosovën, por ja që ka shtete të cilat nuk po na ndihmojnë”, tha Kurti.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Ai nuk i ka pranuar akuzat gjatë një seance në Gjykatën e Prishtinës më 30 prill 2021.