Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Shkarkimet e Qeverisë sikur masat e dhunshme të viteve 90-ta

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, tha se për 100 ditshin e qeverisë Kurti nuk e kanë parë asnjë iniciativë përveç shkarkimin e Bordeve.

Ai këto shkarkime i ka krahasuar me largimet masive prej punës gjatë viteve 90-ta.

“Për 100 ditë nuk e pamë asnjë iniciativë të tyre vetëm shkarkime të bordeve dhe realisht po ma çon mallin sikur masat e dhunshme të viteve 90-ta. Si fëmijë kur m’i patën largu prindërit prej punës edhe sot jeni duke i largu masovikisht zyrtarët e administratës dhe ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës”, tha Tahiri.

Pas kësaj deklarate, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci kërkoi nga Tahiri mos të bëjë krahasime të tilla.

Tahiri tha se qeverisja aktuale po del zhgënjim i madh.

“Unë e kam fjalën dhe duhet me përfun. Po më vjen mirë që ju po dilni zhgënjim dhe mashtrim i madh. Ju jeni shndërru në ndërmarrje të madhe për punësime familjare, ju s’dini kurrgjë tjetër ju nuk keni haber për ekonomi, sundim të ligjit, ju hajnat i keni bashkëpunëtoret më të mirë. Ju veç hajnat nuk guxoni mi çu në burg se vjedhin për juve bashkë me juve”, tha Tahiri.

Bogujevci sërish i ndërhyn tahirit duke i thënë “a kthehemi në temë”.

E Tahiri tha se për temë po flet.

“Mundet mos me të pëlqy Saranda, se nuk t ‘pëlqen as veprimi i partisë tande kur e sheh nipin, dajën, hallën e zv/kryeministrit e ministrit duke u sistemuar. Besoj që as ti nuk ndihesh mirë por duhesh me kapërdi diqysh e me kalu situatën”, tha Tahiri.