Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Qeveria ta trajtojë urgjentisht temën e furnizimit me energji elektrike

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se ka vizituar me grupin e tij, institucionet që janë përgjegjëse për energjinë.

Tahiri ka thënë se pas takime kanë vërejtur se ka një neglizhencë nga Qeveria për trajtimin e krizës me energjinë që po vjen.

“Përderisa ne po flasim Qeveria e Kosovës ende nuk e ka transferu mjetet të cilat i ka zotu për subvencionimin e energjisë elektrike dhe si rrjedhojë ka ardhë deri te një kërkesë për tarifa të jashtëzakonshme. Kjo nënkupton ngritje e çmimit të energjisë. Është e pa pranueshme që të vazhdohet me avazin e vjetër”, deklaroi Tahiri.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që të trajtojë temën e furnizimit me energjinë elektrike me urgjencë.

“Kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht të trajtojë temën e furnizimit me energji elektrike. Kërkojmë nga ju që të trajtoni procesin e kontraktimit të kontratave afatgjate. Kërkojmë nga ju të riktheni menjëherë, task forcën që merret me krizën që po na vjen. Informacionet që i kemi nga ZRRE, KEDS thonë se kriza do të jetë e papërballueshme”, u shpreh Tahiri.

“Marrëveshja për energjinë me Serbinë. Serbia ende nuk e ka dorëzuar listën e konsumatorëve. Kjo qasje e dëmton drejtpërdrejtë sovranitetin e Kosovës por edhe seriozitetin dhe qytetarin e Kosovës. Kërkesa jonë është, uluni para se të hyjmë në kolapsin energjetik, trajtoni këtë temë”, shtoi ai.

Ditë më parë Tahiri ka zhvilluar një takim me ZRRE-në ,ku temë diskutimi kanë qenë çështjet lidhur me krizën energjetike në Kosovë.