Tahiri: Qeveria miratoi projektligjin për Zyrtarët Publikë pa konsultime, do t’i drejtohemi Kushtetueses

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në ka thënë se Qeveria e Kosovës mbrëmë e ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, pa konsultime paraprake, pa përfshirjen e rekomandimeve të BE e SIGMES si dhe pa trajtimin e kërkesave që kanë dalur nga aktgjykimi i Gjykata Kushtetuese.

Sipas tij, ky projektligj shkel të drejtat e njeriut dhe në këtë formë është problematik dhe në funksion të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

“Qeveria e Kosovës dje në një takim në një mbledhje elektronike e ka votuar ligjin për zyrtarët publikë pa as një ditë konsultim, pa përfshirjen e rekomandimeve të BE e SIGMES e pa trajtimin e kërkesave që kanë dal nga aktgjykimi i Gjykata Kushtetuese. Ky projekt ligj shkel të drejtat e punëtorit, është një hap për kapjen e administratës së shtetit dhe akomodimit të personave publikë. E bën ligjin problematik dhe në funksion të VV-së. Kjo Qeveri do mbahet mend për numrin më të madh të ushtruesve të detyrës”, ka thënë Tahiri.

Tahiri tha se VV-ja përmes këtij projektligji është duke kapur e politizuar administratën e shtetit, teksa shtoi se nuk do ta lejojnë këtë dhe se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Shteti i Kosovës është shteti i vetëm në Evropën Juglindore që institucionet udhëhiqen me ushtrues detyre, në administratë, kryeministri dhe presidencë udhëhiqen me ushtrues detyre. Ajo çka na brengos është kthimi i mandatit që është në kundërshtim me mandatin sipas të cilit mandatet vlejnë vetëm. Është tragjike për një shtet që përmes një procesi jo transparent të konsolidohet kapja. Dera e fundit është Gjykata Kushtetuese dhe për këtë do të marrim veprime”, ka vijuar ai.

Ai para mediave ka listuar disa nga çështjet që sipas tij e bëjnë problematik këtë ligj.

  • Mungesa e konsultimit me palët e afektuara, që janë zyrtarët publikë. Kjo e bënë projektligjin pa legjitimitetin e nevojshëm;
  • Projektligji shkon kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke paraparë që nëpunësit që janë emëruar në pozitat e nivelit të ulet dhe të mesëm drejtues, të privohen nga e drejta ligjore e fituar me ligjin që ka qenë në fuqi kur janë emëruar. Projektligji i ri, duke i dhënë vetes efekt retroaktiv, e cenon të drejtën ligjore të fituar të kësaj kategorie. Krejt kjo në kundërshtim flagrant me parimet e SIGMA-së dhe BE-së, si një detyrim që Kosova ka marrë me MSA-në, që RAP ta bëjë në koordinim me BE-në, të cilën gjë nuk po e bënë;
  • Ky projektligj shkel të drejtat e njeriut, pasi që bazohet në supozimin e paargumentuar se nëpunësit civilë nuk vlejnë dhe se ata duhet të largohen masivisht nga puna, për të sjellë në ato pozita persona të dëgjueshëm për politikën në pushtet. Thjesht, është një hap në kapjen e administratës shtetërore, krahas edhe hapave që kjo qeveri ka ndërmarrë në kapjen e shtetit;
  • Largim nga fushëveprimi i Ligjit për Zyrtarët Publik në mënyrë të qëllimshme dhe pa bazë (kjo vlen edhe për nëpunësit civilë me status të veçantë);
  • Zgjatja e afatit deri në dy vjet për ushtrues detyre, tendencë e qartë për ligjësimin e këtij fenomeni të rrezikshëm;
  • Heqja e pragut minimal, që së paku dy kandidatë duhet t`i plotësojnë kushtet për nivelin e lartë drejtues është e gabuar dhe me pasoja në zbatimin në praktikë;
  • Vendosja e marrëveshjes për pranim të nëpunësve civilë, të cilët janë tepricë sipas paragrafit 3 të nenit 67 është shumë e rrezikshme dhe me qellim mund të vijë në situatat që institucionet mos t`i pranojnë nëpunësit dhe të njëjtit të largohen nga shërbimi civil (shih paragrafin 5 të nenit 67);
  • Pezullim i paarsyeshëm dhe në kundërshtim me parimin e prezumimit të pafajësisë;
  •  Kthimi i mandatit për nëpunësit civilë aktualë në kategorinë e ulët dhe të mesme në kundërshtim me aktgjykimin, rastet: nr. KO216/22 dhe KO220/22 sipas të cilit mandate mund të vlejë vetëm për nëpunësit e ri të cilët krijojnë marrëdhënie pune pas hyrjes në fuqi të ligjit./ Dukagjini