Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Qeveria i ka braktisur qytetarët, në Kosovë ka jetë edhe përtej dialogut

Kryetari i grupit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka folur sot për fenomenin e emigrimit të qytetarëve të Kosovës në vendet e jashtme.

Tahiri ka thënë se dy vitet e fundit është rritur numrin i qytetarëve që janë larguar nga Kosova duke thënë se shifrat janë tmerruese.

“Sipas statistikave numri për vitin 2021 që kanë lënë vendin tonë është rreth 42 mijë e 700 qytetarë ndërsa për vitin 2022 nga mediat, vetëm me viza pune janë pajisur rreth 42 mijë qytetarë. Çdo ditë po lexojmë për ikje të mjekëve dhe institucioneve shëndetësore. Sot lexuam se rreth 46 mjekë e kanë lënë Kosovën në dy muajt e fundit” – tha deputeti Tahiri.

Ai tutje ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të angazhohet në çështje që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Sipas deputetit të PDK-së, Kurti duhet të këtë edhe angazhime tjera përveç dialogut me Serbinë.

“Në Kosovë ka edhe jetë tjetër përtej angazhimit të tij në dialog. Qytetarët që zgjohen në mëngjes nuk e kanë dertin se a e takon Kurti-Vuçiqin, a nuk e takon, a e bën marrëveshjen a së bën, ata e kanë hallin prej të ushqyerit e deri tek veshmbathja e fëmijëve të tyre” – tha Tahiri sot në seancën e Kuvendit.

Ai ka shtuar se ikja e qytetarëve është indikator që në Kosovë ka diçka që nuk është në rregull me jetesën.

“Këta janë indikator se diçka nuk është në rregull me vendin tonë. As në këtë Kuvend nuk mund ta kujtoj një angazhim të vetëm të këtij kryeministri dhe kësaj qeverie për një politikë që sjell zhvillim ekonomik. Kjo qeveri i ka braktisur qytetarët”- shtoi ai.