Ableard Tahiri, PDK

Tahiri: Qeveria është duke manipuluar me të madhe shifrat dhe statistikat për furnizim me rrymë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri ka paralajmëruar inicimin një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës kundër ngritjes së çmimit të energjisë.

Përmes një konference për media, Tahiri kërkoi që në asnjë rrethanë të mos ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike duke e quajtur të papërgjegjshëm kryeministrin, Albin Kurti

“Një debat parlamentar për rritjen e çmimit të energjisë është shumë i domosdoshëm. Miratimi i një rezolute e cila i kërkon ZRRE-së që të mos lejoj ngritjen e çmimit të energjisë është e pashmangshme. Si Grup Parlamentar, për ne, më e rëndësishmja sot është parandalimi i ngritjes së çmimit të energjisë. Është e papranueshme që të paguajmë rrymën më së shtrenjti në Evropë. E ftojmë kryeministrin që të jetë më i përgjegjshëm karshi kësaj situate sepse sot për sot nuk ka brengë më të madhe për qytetarët sesa furnizimi me energji”, tha ai,

Tahiri tha se Qeveria është duke manipuluar me shifrat dhe statistikat për furnizim me energji elektrike.

Ai theksoi se qytetarët nuk do të mund ta përballojnë rritjen e çmimit të energjisë pasi që pagat nuk janë rritur.

“Si po shkon puna, Kosova do të jetë një nga 10 vendet që do të paguaj më së shtrenjti energjinë elektrike në Evropë. Është duke u manipuluar me të madhe në lidhje me shifrat dhe statistikat për furnizim nga ana e qeverisë. Si opozitë, ne nuk do të ndalemi… Secila familje kosovare, sado e vogël të jetë ajo, do të kaloj 600 këh energji elektrike brenda muajit dhe do të preken nga rritja e çmimit të energjisë. Pagat nuk janë rritur, prandaj, pagat e qytetarëve tanë, mësuesve, policëve, të sektorit privat, nuk do të mund ta përballojnë rritjen e çmimit të energjisë”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.