Tahiri: Po vazhdon fryma e njejtë për ndaljen e fjalës së opozitës

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, në një prononcim për media në Kuvendin e Kosovës, ka treguar arsyet e lëshimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai tha se mbledhja është lëshuar për shkak të ofendimeve, që sipas tij, vijnë nga deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

“Edhe një herë një fryme e njejtë po vazhdon si në seancën e kaluar, që të ndalet fjala e opozitës. Asnjë iniciativë nga kjo qeverisje nuk ka. Kjo tregon pa aftësinë e kryeministrit”, tha Tahiri para gazetarëve.

I pyetur se a do të jetë kjo forma e bojkotit që do ta përdor PDK-ja, Tahiri tha se “bojkoti nuk do të jetë. Në herën e kalume kemi kërku ndërprerjen e seancës deri në mbledhjen e kryesisë”.

Kurse kur Tahiri është pyetur se pse ka marrë pjesë në seancë pasi javën e kaluar ka thënë se nuk do të marrin pjesë pa mbajtjen e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri tha se seanca që është thirrë sot ishte e jashtëzakonshme.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës u mblodh me rend dite kërkesa për interpelancë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në lidhje me “uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”.