Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Përgëzojmë Policinë për aksionin e sotëm

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka përgëzuar Policinë e Kosovës për aksionin e sotëm për arrestimin e personave të dyshuar për grabitjen në Suharekë që ndodhi javën e kaluar.

Tahiri tha se sot është treguar efikasiteti i Policisë.

“Dua ta përgëzoj Policinë e Kosovës për aksionin e sotëm në raport me bandat e kriminalizuara që sulmuan biznesin javën e kaluar dhe efikasitei i policisë që u tregua gjatë ditës së sotme, me arrestimin e këtyre banditëve që cenuan jetën e qytetarëve të Kosovës dhe njëkohësisht dëmtuan në qindra mijëra euro bizneset dhe sot ku e shohim këtë efikasitet të Policisë, që kjo Qeveri e ka diskriminu jashtëzakonisht shumë, mendoj që shumë shpresëdhënëse”- deklaroi Tahiri.

Deputeti i PDK-së tha se Policisë i duhet përkrahje nga Qeveria dhe Kuvendi teksa shtoi se kërkesat e tyre duhet të përfshihen në lexim të dytë të buxhetit për vitin 2024.

“Ky aksion i Policisë tregon një gjë, që i duhet përkrahje nga Qeveria e Kosovës, nga Parlamenti dhe jo vetëm duartrokitje. Sot pamë një profesionalizëm të lartë të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës prandaj meqenëse jemi në kohën kur do ta miratojmë në lexim të dytë buxhetin e Kosovës është mirë që kërkesat e tyre t’i inkorporojmë në kuadër të buxhtetit për vitin 2024”- shtoi ai.

Shumica e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar sallën menjeherë pasi Kuvendi ka filluar seancën e dytë për ditën e sotme.

LVV ka kundërshtuar mbajtjen e seancës së re, me arsyetimin se gjatë ditës nuk janë respektuar afatet caktuara në Kryesi.

Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që të vazhdohet me pikat e rendit të ditës të seancës së parë.