Tahiri për videon e LVV-së: Në vend të prezantimit të rezultateve të punës - video me propagandë

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj videos së publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje “Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”.

Tahiri ka thënë se LVV-ja dhe Kurti në vend se të publikojnë rezultatet e punës po publikojnë video të cilat, sipas tij, janë propagandë me të cilat po sulmojnë kundërshtarët politikë.

“Duhet të jesh në një gjendje fort të mjerueshme politike siç janë sot Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Albin Kurti, që pas dy vite qeverisje, në vend se të prezantojnë rezultate të punës, të vetmen gjë që kanë prodhuar, janë videot me propagandë ku sulmojnë kundërshtarët politik me akuza e kundër akuza”- shkruan Tahiri.

Tahiri thotë se “pushteti i Kurtit ka rënë në gjendje të mjerueshme dhe të pashpresë”.

“Kjo është simptomë se pushteti i Kurtit ka ra në një gjendje të mjerueshme, dëshpëruese dhe të pashpresë. Mjerim për ta, e fatkeqësi për vendin”- është shprehur Tahiri.

LVV-ja ka publikuar një video përmes së cilës promovon ato që ajo i cilëson suksese të Qeverisë Kurti.

Përmes kësaj videoje, LVV thotë se nuk ka pasurim të politikanëve apo pasurim të bizneseve dhe familjeve të lidhura me pushtetin.

Mes tjerash, LVV tregon se çka është bërë për këto dy vite.

Në tetor të 2022-tës, LVV publikoi një video në të cilën i ka akuzuar partitë opozitare për shkatërrim të shtetit për 20 vite.

“Duan të mbysin çdo përpjekje për vendin sepse nuk duan ta shohin atë tek lulëzon. Zhurmë, sharje, grevë e çka tjetër vetëm për të sabotuar shtetin e sulmuar Qeverinë”, -thuhej në video-mesazh.

Në videon 2-minutëshe, partia në pushtet kishte vlerësuar se opozita dëshiron ta ndalë Qeverinë Kurti duke përmbysur vullnetin e qytetarëve.