Tahiri për takimin e Kurtit me sindikalistet: Ishte për të filluar kapjen e shtetit

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e ka komentuar bashkëbisedimin e djeshëm të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti me përfaqësues të sindikatave në vend.

Tahiri ka thënë se Kurti ishte aty për të filluar “kapjen e shtetit përmes kapjes së sindikatave”.

Sipas tij, me këtë ai ka marrë masa për të neutralizuar instrumentin më të fuqishëm të përfaqësimit të nevojave kolektive të punëtorëve, sindikalizmin.

“Që nga themelimi i saj, Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë pretenduar se përfaqësojnë masën kolektive të asaj çfarë është një shoqëri solide. Por tashmë kur pritet ta themelojë qeverinë që do ta drejtojë vetë, z. Kurti u kujdes që në vigjilje të hapave të tij si kryeministër i ardhshëm, të marrë masa për të neutralizuar instrumentin më të fuqishëm të përfaqësimit të nevojave kolektive të punëtorëve, sindikalizmin”, ka shkruar kandidati për deputet i PDK-së, në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka thënë se kandidati për kryeminister i VV-së, ishte aty për të blerë paqe, e që më tej i ka ‘kujtuar’ se sindikatat nuk janë mjete në duar të pushtetit.

“Nuk ishte aty për zgjidhje, sepse zgjidhjet nuk i ka. Por ishte aty për të filluar kapjen e shtetit përmes “kapjes së sindikatave”. Ai ishte aty për të blerë paqe, pasi që nuk mund të jetë edhe ideologu i kolektivizmit edhe administratori që duhet ta konfrontojë atë. Ai tashmë e di se koha e liturgjisë ka marrë fund dhe koha e përgjegjësisë për të është e kudo ndodhshme. Por ai megjithatë nuk duhet të harrojë se sindikatat nuk janë mjete në duar të pushtetit, veçse kundërvënëse ndaj tij për të drejtat e tyre legjitime”, vijon njoftimi i Tahirit.

KALLXO.com ka raportuar të enjten live nga ky takim i kryetari të VV-së, Albin Kurti.

Kurti u garantoi sindikalisteve se me qeverinë e re, fillon një kapitull i ri për ta, ai mes tjerash u paralajmëroi themelimin e një gjykate të punës me qëllim që shkeljet që u bëhen punëtorëve, të dënohen përmes saj.

 

Kurti – sindikalistëve: Do të themelojmë Gjykatën e Punës

.