Tahiri për protestat me shishet e xhamit: Kjo zhurmë nuk është për Kuvend

Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri është deklaruar në lidhje me zhvillimet e seancës së Kuvendit në javën e kaluar kur opozita protestonte duke goditur tavolinat me shishet e uji nga xhami, duke kundërshtuar kështu mosvotimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë.

Tahiri ka thënë se ajo gjuhë dhe ajo zhurmë nuk është për Kuvend.

“A duhet me marrë shishen dhe me goditë, për me marrë vesh dhe me i sjell ligjet që i keni, a duhet me i mëshu tavolinës me ju thonë silleni ligjin e pagave? A kuptoni që këto metoda, kjo gjuhë e kjo zhurmë nuk është për këtë seancë dhe nuk është për këtë Kuvend. Kërkesa ime është që të ndalim metodat jo konvencionale të debatit parlamentar dhe të kthehemi në një logjikë të shëndoshë të diskutimit”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka shtuar edhe një pyetje tjetër para deputetëve në lidhje me komisionin hetimor parlamentar për energjinë.

“Si është e mundshme që për një muaj e gjysmë jemi malltretu në këtë Kuvend, deputetë e deputete të këtij Kuvendi kanë dalë e kanë thënë që komisioni hetimor është në kundërshtim me ligjin parlamentar. Pyetja është shumë e thjeshtë: A është ky komision hetimor në kundërshtim me këtë ligj dhe nëse është pse e keni bo “, tha Tahiri.

Kryetarit të Kuvendit nuk i ka pëlqyer diskutimi i deputetit Tahiri.

“Për herë të parë po të them që sapo e keqpërdore foltoren e Kuvendit. Kështu nuk bën hiç, shumë gabim je. Ta dhashë fjalën për tjetër gjë dhe u morëm vesh çka është më e keqja. Kështu nuk kam qejf me ndodh në Kuvend të Kosovës. Trego që po do me fol për komisionin hetimor. Nuk shkon Kuvendi kështu, duhet me pas respekt pak më shumë për mënyrën qysh i ka rregullat jeta parlamentare”, deklaroi Konjufca.

Në seancë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është në një vizitë jashtë vendit, ka kërkuar që debati parlamentar për punën e Qeverisë në vitin e parë të mandatit, të shtyhet për një seancë tjetër.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga AAK ka kërkuar që pikat e pa përfunduara të dalin para debatit të sigurisë dhe ky debat të trajtohet pas votimit të pikave që janë caktuar në pika 2, 5, 6, 7 dhe 8.

VIDEO – ‘Goditje e tavolinave’, protesta e opozitës në Kuvend