Tahiri (PDK): Kryeministri s'mundet me zgjedh me çka me u marrë e me çka jo

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, më 02.12.2024, ka thënë se popullsia në Kosovë është zvogëluar në katër vjetet e qeverisjes së Albin Kurtit, për shkak të arsyeve ekonomike.

Ai e ka kritikuar Kurtin edhe për mungesën e anëtarësimeve të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Tahiri i është kundërpërgjigjur edhe deklaratës së Kurtit i cili gjatë fjalimit në Kuvend tha se “nuk ka ardhë në pushtet duke premtuar njohje të reja”.

Lidhur me ketë çështje, deputeti nga PDK-ja, se detyra e kryeministrit nuk është listë e dëshirave se me çka me u marrë e me çka jo.

“Kryeministri nuk mundet me zgjedh me çka me u marrë e me çka jo. Kryeministri është përgjegjës edhe për diplomaci, edhe për njohje, edhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Nuk është kjo një listë e dëshirave me çka po du me u marrë e me çka s’po du. Unë nuk kisha dasht me dëgju kryeministrin e vendit tim që realisht bëhet si prezantues i raporteve të policisë, prokurorisë, institucioneve ligjzbatuese, të referentëve në ministri”- tha ai.

Kurti gjatë fjalimit ka thënë se e di që janë kritikuar që nuk ka njohje të reja, por ka theksuar se nuk e kanë premtuar këtë në fushatë.

Në prag të përfundimit të mandatit, Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar lidhur me qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit, Albin Kurti.

Kjo seancë është propozuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 25.11.2024, nga deputeti Besnik Tahiri në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Qeveria Kurti 2 është votuar më 22 mars 2021, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.

Kurti krenohet me “të arriturat e qeverisë”: Ekonomia është shtatë herë më e lartë sesa në vitin 2000