Abelard Tahiri, Foto: PDK

Tahiri: Nuk do të ketë normalitet parlamentar pa u formuar Komisioni Hetimor për energjinë

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri përmes një konference për media ka deklaruar se nuk mund të ketë normalitet parlamentar pa u formuar Komisionit Hetimor parlamentar për energjinë.

“Si grup parlamentar i PDK , si iniciues nuk do të tërhiqemi dhe nuk do të biem pre e provokimeve të pushtetit që të korrigjojë kërkesën tonë. Nuk ka me pasë normalitet parlamentar pa u formuar komisioni parlamentar hetimor”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka komentuar refuzimin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e komisionit hetimor, duke thënë se po duan qartë të fshehin diçka.

“Nga ky refuzim kaq i madh LVV për me u themelu duket qartë, se po duan me fshehë. Shihet qartë që ka njerëz që kanë bërë vepra penale”, tha Tahiri.

Tutje, ai theksoi se LVV ka qenë në opozitë për më shumë se 12 vite dhe nuk kanë kërkuar hetim parlamentar për energjinë.

“Për me shume se 12 vite në opozitë LVV nuk ka kërku hetim parlamentar për ato çka po kërkon tash. A tash ju doli gjumi a?”, u shpreh Tahiri.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar themelimin e një komisionit hetimor parlamentar për energjinë, por që do të përfshinte çështjet e sistemit energjetik që nga vitit 2006.

“Sot në asnjë rrethane nuk tërhiqemi si grup parlamentar, kjo është e drejtë që na garanton Kushtetuta. Ne e kemi shpreh qëndrimin në seancë, që seanca të ndërpritet dhe të vazhdojë themelimi i komisionit”, ka shtuar ai.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.