Besnik Tahiri nga AAK, seanca e Kuvendi 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Tahiri: Ne politikanët i kemi shkelur masat anti-COVID, bizneset i kanë respektuar

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se vetë politikanët i kanë shkelur masat kundër COVID-19, dhe se nuk kanë të drejtë të kërkojnë nga bizneset pagesën e gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë.

Kështu ka deklaruar ai në seancën e Kuvendit të Kosovës, pasi AAK-ja ka ftuar në interpelancë ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për faljen e gjobave bizneseve të prekura nga situata me COVID-19.

“Ishin pikërisht qytetarët dhe bizneset që përfillën masat mbrojtëse në masë më të madhe dhe ishin politikanët, ishim ne partitë politike që gjatë gjithë fushatës zgjedhore, nuk respektuam asnjë nga këto masa dhe ne sot si deputet që fituam mandatin mbi këto shkelje nuk kemi kredibilitet as etik që të kërkojmë pagesën e gjobave nga qytetarët dhe bizneset e Kosovës”, tha ai.

Sipas Tahirit, janë disa çështje që këtë temë e bëjnë të domosdoshme dhe e bëjnë legjitime faljen e borxheve.

“Është pamundësia që shumë biznese të shlyejnë borxhet, mbase disa rrezikojnë edhe mbylljen. Shumë biznese nuk po mund të operojnë në mënyrën e njëjtë me të punësuarit. Falja e borxheve të bizneseve do të ishte një hap pragmatik”, theksoi deputeti.

Ai ka shtuar në pesë muajt e fundit nga Agjencia e Veterinarisë, janë shqiptuar 1,726 gjoba për persona juridik për biznese dhe ndërmarrje, që siç ka thënë ai, në total i bie diku rreth 2 milionë euro.

Kuvendi i Kosovës po mban Interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Falja e gjobave bizneseve të prekura nga situata me COVID-19”.