Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Na intereson mendimi i kryeministrit për bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri për Projektkodin Civil ka thënë se pas Kushtetutës së Kosovës, është dokumenti më i rëndësishëm që votohet në Kuvend.

“Dokument më të rëndësishëm nuk ka ardhë në Kuvend. Pas Kushtetutës, Kodi Civil është dokumenti me i rëndësishëm legjislativ që vjen me u votu në këtë Kuvend”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri tha se marrë parasysh që ky dokument është me rëndësi e quajti të papranueshme mos prezencën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit që të shkoj në Kuvend sepse sipas Tahirit për këtë projektkod ka pasur reagime të bashkësisë fetare lidhur me bashkësinë civile të personave me gjini të njëjtë.

“Ne si grup parlamentar i bëjmë thirrje le të vjen sepse pikërisht për këtë projektkod i kemi pasë edhe reagimet e bashkësive fetare në raport me nenin 1,138, paragrafi 2 për bashkësinë civile të personave me gjini të njëjtë që janë të lejuara”, ka deklaruar Tahiri.

“Ky ka qenë një debat i gjatë në Republikën tonë dhe neve na intereson mendimi i kryeministrit për këtë çështje sepse nuk është prononcuar asnjëherë, e as presidentja, për një hap të tillë që po e marrim si vend”, shtoi ai.

Deputeti Tahiri tha se pa prezencën e kryeministrit dhe pa deklarimin e tij, grupi parlamentar i PDK-së do të përmbahet nga votimi.

“Si grup parlamentar, pa prezencën e kryeministrit dhe pa deklarimin e tij për këtë çështje që ka ngjallur një debat jashtëzakonisht të madh në vendin tonë, ne përmbahemi nga votimi dhe shpresojmë që kryeministri do të gjejë kohë të vie për këtë dokument në seancë plenare”, deklaroi Tahiri.