Tahiri: Mustafa dhe Haradinaj u dakorduan që sa më shpejt të bëhet qeveria e re

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i i AAK-së Ramush Haradinaj kanë zhvilluar sot një takim.

Pas këtij takimi mediave i është drejtuar Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili tha që Mustafa e Haradinaj janë dakorduar që sa më shpejt të ketë qeveri të re.

“Sot me ftesë të kryetarit të LDK-së Isa Mustafa ishte një takim me kryetarin e AKK-së, Ramush Haradinaj. Ky ishte një takim pune ku është diskutuar së pari kriza në të cilën është Kosova dhe janë dakorduar që sa më parë të ketë një qeveri të re e cila do të ketë besimin e shumicës në kuvend”, tha Tahiri.

Tahiri tha që në këtë takim nuk është diskutuar për ndarjen e përgjegjësive e as për çështjen e Presidentit.

“Në këtë takim nuk ka pasur diskutime të detajuara për koalicion. Ju e dini se LDK ka pasur një takim më Këshillin Drejtues, ne jemi po ashtu në një proces të brendshëm të diskutimit, pra nuk ka qenë takim rreth ndarjeve të pushtetit”, vazhdoi ai.

Dje kryetari i LDK-së Mustafa ka thënë se ende nuk kanë pranuar ftesë për takim apo letër nga presidenti Thaçi për çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Ditë më parë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur që të bëjë koalicion me AAK-në e Nismën dhe minoritetet, pas rrëzimit të qeverisë Kurti me mocion mosbesimi më 25 mars.