Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Tahiri: Mos e mbroni këtë aferë në KEK si atë të Martin Berishajt
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri është deklaruar në Kuvendin e Kosovës në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Tahiri ka kërkuar nga deputetët e pozitës se këtë hetim të jua lënë organeve përgjegjëse.
“Komunikimi i djeshëm dhe sulmet që janë bërë organeve të pavarura të drejtësisë tregon për një alarm që është në Qeveri në raport me këtë aferë korruptive por edhe me tjera afera potenciale që mund të vijnë në OSHP. A është kjo drejtësia që ju e keni proklamu? A nuk është e mundur që këtë hetim të jua lëmë organeve që janë përgjegjëse dhe pastaj të shohim se ku po del”- ka deklaruar Tahiri.
Kryetari i gp të AAK-së parashtroi edhe një kërkesë tjetër për deputetët e LVV-së, që të mos e mbrojnë, siç tha ai “këtë aferë si aferën e Martin Berishajt”.
“Ky është vetëm fillimi dhe zinxhiri në emër të votave të juaja, në emër të 51 përqindëshit korruptiv po shihet që do të jetë i gjatë andaj kërkesa ime për ju është të mos e mbroni si aferën e Martin Berishajt. Lejani Porkurorisë, Gjykatave e Policisë, mos ndërhyni dhe të shohim se çka do të ndodhë”- tha Tahiri.
Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Nagip Krasniqi, u arrestua dje me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për ‘keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit’.
Arrestimi i kryeshefi të KEK-ut është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë, Krasniqi është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.
Në njoftim thuhet se, Njësia e Veçantë e Hetimeve po ashtu sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, 1 lap-top, 1 celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.
Arrestohet kryeshefi i KEK-ut, dyshohet për tri vepra penale