Tahiri merr mbështetjen e Bankës Botërore për reforma në administratë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, po qëndron për vizitë zyrtare në Vjenë, ku është takuar me Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në të cilin takim është diskutuar për partneritetin e Qeverisë së Kosovës me Bankën Botërore.

“U dakorduam që të punojmë së bashku në procesin e reformave, duke thelluar bashkëpunimin tonë për të shtyrë përpara reformat në administratën shtetërore, Ligjin e Qeverisë, atë të Inspeksioneve, të Pagave në Sektorin Publik, Financave Lokale dhe Programin për Reduktimin e Barrës Administrative”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Tahiri. 

Sipas një njoftimi për media, Van Gelder, e ka njoftuar zëvendëskryeministrin Tahiri për ndihmat financiare që do të vijnë nga Banka Botërore, si në programe zhvillimore dhe infrastrukturore, ashtu edhe për programin që do të ndihmojë bizneset e vogla dhe të mesme.

Po ashtu, në këtë takim është biseduar edhe për vizitën që ekipi i qeverisë i kryesuar nga ministrja e Financave do ta ketë në SHBA.