Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. FOTO: KALLXO.com

Tahiri: Mbi 80 mijë njerëz janë viktimë e eksperimenteve të Qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka mbajtur konferencë për media ku ka theksuar AAK ka  kërkuar interpelancë për ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Tahiri tha para mediave se ngritjet e çmimit të tatimit në pronë, të rrymës, dhe inflacioni i madh në vend e kanë bërë jetën pothuajse të pamundshme.

“Çështja e dytë lidhet me sektorin publik, ka një kohë që Qeveria flet për Ligjin e pagave. Mbi 80 mijë njerëz janë viktimë e eksperimenteve të Qeverisë. Me cilindo zyrtar publik që takohesh ka zhgënjim” – tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së.

Ai tha se asnjë projekt kapital nuk është nisur.

“Ku ka logjikë që për 2 vjet qeverisje me u blloku rreth 500 milionë euro të investimeve kapitale. Asnjë projekt kapital nuk është nisur…. E bllokuan rrugën për Pejë, Gjakovë, Gjilan e Podujevë”.

Sipas Tahirit, ekonomia e Kosovës është buzë kolapsit.

“Nëse vazhdohet kështu njerëzit kanë me lëshu Kosovën prej këtij vizioni puro të majtë të Qeverisë. Krejt diskutimi është dialog. Dëshirojmë të ndodh rishikimi buxhetor dhe të rritet koeficienti në atë që ne e kemi kërkuar, 129 euro. Të vendoset për alokimin e mjeteve”- theksoi ai.

Tutje, Tahiri u shpreh se rreziku më i madh është që nuk janë duke ikur nga Koso0va vetëm njerëzit e papunë por edhe ata që janë të punësuar.