Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri - LVV-së: Hiqeni fotografinë time nga video, ose do të ballafaqohemi në gjykatë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që ta heqin fotografinë e tij nga video e quajtur “Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”.

Tahiri ka thënë se vendosja e fotografisë së tij në këtë video i ka krijuar shqetësim familjes së tij.

“Nuk mundem me kuptua ku e merr guximin ai njeri që e ka bë atë video me ma qit fotografinë time në një video inkirminuese dhe me më fye. Me ma vendos fotografinë dhe me i krijua shqetësim familjes time dhe rrethit familjar kur kurrë në jetë aq sa kam qenë në funksion publik kurrë në jetë asnjë send nuk e kam keqpërdor”- ka thënë Tahiri.

Ai ka kërkuar nga LVV që t’ia heqin fotografinë e tij nga kjo video.

Tahiri ka paralajmëruar se nëse nuk i hiqet fotografia do të ushtroj padi personale.

“Kërkoj prej Lëvizjes Vetëvendosje me ma heq fotografinë, përndryshe të gjithë mekanizmat ligjor do t`i përdori për me tregu ata çka kom keqpërdor unë. Do të ballafaqoheni me gjykatë, me padi personale. Jam ballëhapur në çfarëdo instance. Pres me ma heq fotografinë”- ka thënë tutje ai.

Në videon e Lëvizjes Vetëvendosje të publikuar disa ditë më parë, është vendosur një fotografi e deputetit Besnik Tahiri në kohën kur ai ishte zëvendëskryeministër në qeverinë e Avdullah Hotit.

LVV ka publikuar një video përmes së cilës promovon ato që i quan sukseset e Qeverisë Kurti, duke treguar se “Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”.

Përmes kësaj video LVV thotë se nuk ka pasurim të politikanëve apo pasurim të bizneseve dhe familjeve të lidhura me pushtetin.

“Nuk ka vjedhje, zhvatje, hajni. Pasurim të politikanëve nga politika. Nuk ka pasurim të bizneseve dhe familjeve të lidhura me pushtetin. Nuk ka nënshtrim dhe nuk ka nënshkrim kundër Republikës së Kosovës”- shkruan LVV.

LVV me video të re, sulmon sërish pushtetet e kaluara