Ableard Tahiri, PDK

Tahiri: LVV propozoi Komision Hetimor për vrasjen e grave, kur ka në dorë mekanizmat për hetim

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e grave dhe për çështje që kanë të bëjnë me dhunën në familje.

Sipas Tahirit, ky komision do të kishte kuptim sikur të propozohej nga partitë opozitare.

Ai ka thënë se partia në pushtet i ka të gjithë mekanizmat për trajtimin e këtyre rasteve.

“Ishte një iniciativë për themelimin e një Komision Hetimor për dështimin e hallkave që kanë dërguar në vrasje të grave, dhunën dhe çështje të dhunës në familje. Sikur ky komision të propozohej nga opozita, do të ishte e arsyeshme, por të propozoj mazhoranca komision është e tmerrshme, duke qenë se kanë të gjithë mekanizmat për hetimin dhe ndjekjen e këtij fenomeni. Kjo tregon që kjo qeverisje ka dështuar në disa hallka” – THA Abelard Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka shtuar se lidhur më këto çështje duhet të japin dorëheqje dy ministra të Qeverisë Kurti.

“Kjo i bie që dy ministra duhet me dhënë dorëheqje. Ministri i Punëve të Brendshme dhe ministrja e Drejtësisë. Ky pushtet ka dështuar në shumë procese, për ne është i mirëseardhur themelimi i këtij komisioni dhe ky nuk ka si të shkoj ndryshe veç shkarkimin e dy ministrave” – tha tutje Tahiri.

Ndërsa për takimin që pritet të mbahet në Ohër më 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë dhe pajtueshmërisë rreth planit evropian, Tahiri ka thënë se PDK janë deklaruar kundër kësaj marrëveshje, që si e quajti “të dëmshme”.

“Vetë institucionet e Kosovës në një formë po e kontestojnë shtetësinë tonë. Neni 7 po e etablon atë që do të ndërtohet e që ka me qenë autonomia e serbëve. Nuk është Asociacioni më çështje, është neni 7, është autonomia që ne e marrim si obligim ndërkombëtar” – tha Tahiri duke shtuar se po hapet një proces i ri i dialogut.