Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri-Kurtit: Nuk po na tregon se si ke me realizu vettingun në drejtësi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri kërkoi sqarime shtesë lidhur me disa pika të cilat janë cekur në planin qeverisës së prezantuar nga Albin Kurti.

Tahiri tha se programi i qeverisë Kurti 2 ka gabime logjike e aritmetike, strukturore e përzierje kompetencash.

“Kryeministri na kritikoi, tha kritika po vjen nga e ardhmja. Kryeministër është normale që kritika vjen nga e ardhmja, sepse programi i qeverisë duhet të jetë një fotografi e plotë e asaj se si duhet te jetë Kosova pas katër vitesh. Nuk po e shohim si do të shpëtohet ekonomia jonë në këtë fazë, dhe çfarë rritje ekonomike e pret vendin tonë në të ardhme. Nuk po e shohim si do të mbështeten bujqit dhe çfarë masash do të merrni. Çfarë investitorësh do të sjellin. Në këtë program duhet me u kuptu se si do të mbështeten bizneset, ekonomitë familjare. Programi i qeverisë Kurti 2, po del të jetë një listë e gjërave të njëjta, nuk ka kurrfarë risie, as qasje të njëjtë, ka gabime logjike e aritmetike, strukturore e përzierje kompetencash”, tha Tahiri.

Deputeti kërkoi të dijë edhe lidhur me procesin e vettingut në drejtësi.

“Nuk na ke tregu qysh ke me realizu vettingun, sa ligje ke me i ndryshu, cila është baza ligjore, a ke me ndryshu Kushtetutën, m’i jep të paktën disa ide. Ke fol për dobitë e vettingut, ato i dinë të gjithë, edhe një qytetar i rëndomtë. Ke folur për rishikimin funksional, një agjendë e kemi fillu, e kemi lanë në përfundim, të falënderoj që nuk ma ke çu punën huq”, u shpreh ish-ministri i Drejtësisë.

Deputetet e Kuvendit te Kosovës janë duke e mbajtur seancën e jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës – Prezantimin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.