Tahiri: Kurti po ikë nga debati për 100 ditët e qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se në Kryesi të Kuvendit është përcaktuar që të hënën në seancë të debatohet kërkesa e këtij subjekti politik për raportin 100 ditësh të qeverisë së Kosovës.

“Është hera e parë që një kryeministër nuk e procedon raportin për debat në Kuvend. Kjo është thyerje e praktikave parlamentare”, tha ai.

Sipas tij, për PDK është aq i rëndësishëm raportimi për 100 ditëshin, pas “aty shihet rrugëtimi i qeverisë për 4 vitet e ardhshme”.

Ky debat do t’i bëjë mirë edhe qeverisë Kurti dhe ministrave të kabinetit qeveritar, ka vlerësuar Tahiri.

“Ne e shohim mosvullnetin e mosgatishmërinë e qeverisë për ta diskutuar këtë raport”, ka thënë ai.

Tahiri tha se në takimin e Kryesisë janë shprehur kundër rishikimit të buxhetit 2021, pasi vlerësojnë se projektligji nuk i plotëson as afërsisht kërkesat e qytetarëve.

Megjithatë PDK ende nuk ka një vendim të prerë nëse do ta votojnë apo jo projektligjin, pasi sipas Tahirit, Grupi Parlamentar i këtij subjekti do të vendos sot gjatë ditës për këtë gjë.