Besnik Tahiri - AAK, Foto: KALLXO.com

Tahiri: Kurti duhet ta informoj Kuvendin para dialogut dhe të raportoj pas tij

Besnik Tahiri kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se kanë bërë kërkesë që të këtë informim paraprak dhe raportim pas dialogut me Serbinë.

“Kurti mendoj se e ka bërë gabimin më të madh në raport me takimin e dytë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Ai është zotu se do të ketë informim para e raportim pas dialogut dhe këtë nuk e ka bërë. Ai ka qenë 10 ditë jashtë vendit”, tha Tahiri.

Tahiri shtoi se Kurti duhet të ketë qasje shtet-formuese, përgjegjëse dhe llogaridhënëse ndaj Kuvendit. Sipas tij Kurti e ka shumicën por në raport me dialogun duhet informimi paraprak.

“Procesi i dialogut është në qorrsokak, nuk ka agjendë nuk dihet asgjë. Nuk do të ketë sukses në dialog asnjëherë pa përfshirjen e SHBA-ve”, tha Tahiri.

Gjithashtu sipas tij në mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, u vendos që të ketë seancë të enjten.

“U diskutua për shpalljen e konkursit për 5 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Shërbimit Civil. Unë e kundërshtova, pasi ne kemi marrë një kërkesë të Gjykatës Kushtetuese dhe prej këtu do të shkoj në Komisionin për Legjislacion, ku duhet ta trajtojnë këtë temë”, tha ai.