Tahiri ironizon me Kurtin: Besoj që kthehet nga Kana, nuk rri sa në Greqi

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka ironizuar me vizitat jashtë vendit të kryeministrit Albin Kurti.

Tahiri duke folur për rishikimin e buxhetit sot në Kuvend, ka thënë se Kurtit dhe kabinetit të tij nuk i duhen shumë para.

“Më mirë është ato 1.1 milion euro që ia keni ndarë kryeministrit dhe kabinetit të tij, më mirë kish me qenë me ia nda Këshillit Prokurorial sepse vetë kryeministri ka thënë ‘Mua nuk më duhen xhipat e zi, nuk më duhen shpenzimet e mëdha’”, tha ai.

“Ku ka shku kryeministri, në Kanë a? Ani de kthehet, besoj nuk rrin sa në Greqi. Në Greqi ka nejt 10 ditë, tash prej Kanes besoj nja 4-5 ditë, nja 15 ditë kështu njëfarë turi të mirë e bën si kryeministër”, shtoi deputeti.

Kurti fillimisht kishte vizituar Greqinë për disa ditë ndërsa sot është raportuar se ai gjendet në Kanë të Francës.

Opozita në vend ka kritikuar kreun e Qeverisë për mosprezencë në Kosovë, sidomos në kohën kur qytetarët e Deçanit po përballen me helmime nga uji.