Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: I vetmi investim i Qeverisë është lidhja e fshatit Arben Gashit me të Bekë Berishës me një urë 6 metra

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bensik Tahiri, ka paraqitur propozim-rezolutën për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Për këtë rezolutë, ai tha se është alarm për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar të cilët sipas Tahirajt nuk kanë bërë asgjë veç se “ lidhjen e fshatit të Arben Gashit dhe Bekë Berishës me një urë gjashtë metra”.

“Kjo rezolutë është një alarm për kryeministrin dhe kabinetin e tij të cilët nuk kanë bërë asnjë veprim, e kanë obligim kushtetues me tregu se çka kanë bo. Çka dimë është se e kanë lidhë fshatin e Arben Gashit dhe Bekë Berishës me një urë gjashtë metra, këtë investim e dimë asgjë tjetër”- deklaroi Tahiri.

Deputeti tha se për dy vite Qeveria nuk e ka dërguar ligjin për rritjen e pagës minimale.

“Për dy vite rresht kjo qeveri nuk ka mundur ta sjellë një ligj që e rritë pagën minimale. Kryeministri ka pasë kohë të flet për Ohrin e Brukselin, për Lajçakun e Borrellin, për filtera e bojlera por nuk ka pasë kohë që ta bjen ligjin që u mundëson njerëzve në sektorin privat të ushtrojnë me dinjitet punën e tyre”- tha Tahiri.

“Sektori publik nuk ka qenë asnjëherë më shumë në krizë, sot Qeveria udhëhiqet me ushtrues detyre në nivelet më të larta të shtetit. A e dini pse, sepse me një e-mail vendosen e me një shkarkohen. Ligji për zyrtarët publik po trajtohet në kushtetuese”- shtoi ai.

Tahiri në raport me politikën e jashtme u shpreh se Qeveria nuk ka shtyrë agjendën e vendit që sipas tij duhet ta mbrojë Kosovën.

“Në raportin me njohjet nuk po flas sepse nuk ka ndodhur asnjë njohje dhe mbi të gjitha politika e jashtme ka qenë politikë e cila asgjë dhe asnjë formë nuk e ka mbrojtë interesin e vendit dhe nuk e ka shty përpara agjendën e vendit që duhet ta mbrojë Kosovën”- deklaroi Tahiri.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton propozim-rezolutën e AAK-së për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Kjo pikë e rendit të ditës ka qenë kërkesë e AAK-së që nga fillimi i muajit mars.

Më 22 mars 2021 , deputetët e Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar për Qeverinë Kurti si qeverinë e re të vendit.