Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri i AAK-së: Qytetarët duhet ta dinë se me çfarë kushtesh është negociuar me Radoiçiqin

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 10.10.2024, kryetari i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qytetarët duhet ta dinë se për çfarë kushtesh “është negociuar me kryeterroristin Millan Rodoiçiq”.

“Sot në Kuvendin e Kosovës kemi një kërkesë konkrete e cila na obligon neve deputetëve që të kërkojmë një ballafaqim me qeverinë. Na obligon që të kërkojmë një transparencë rreth një përgjimi i cili ka shpërfaqur në publik tri çështje të cilat meritojnë përgjigje në këtë Kuvend. Ky Kuvend, qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë dhe duhet ta dinë për çfarë kushtesh është negociuar me kryekriminelin, me terroristin, me iniciuesin e sulmit ndaj shtetit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, njeriut që është në Listën e zezë të SHBA-ve, ndaj personit që akuzohet drejtpërdrejtë si përgjegjës për vrasjen e heroit të kombit, Afrim Bunjaku”- tha Tahiri.

Për publikimin e bisedave të përgjuara mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit, e për të cilat Kusari-Lila thotë se janë të fabrikuara, Tahiri ka kërkuuar ballafaqim, llogaridhënie dhe transparencë.

“Përgjimet, i pari dhe i dyti vërtetojnë se një marrvëshje e thellë dhe në thelb kundër disa vlerave që lidhen drejtpërdrejt me të mirën publike ka ndodhë dhe ajo duhet të debatohet këtu nga ne edhe nga ju deputetë të shumicës parlamentare. Kjo qeveri nuk ka etikë politike. Ushtria e Kosovës nuk ka ushqim. I drejtohem Kusari- Lilës! Nuk duhet në asnjë moment me thanë argument që nuk qëndron. Krejt e dinë kontributin e Ramush Haradinajt. Ne kërkojmë ballafaqim, trasparancë dhe llogaridhënie”- përfundoi Tahiri.

Deputetët e opozitës më pasë e kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës në shenjë revolte që nuk u vu në rend dite “debati rreth bisedës së Mimoza Kusari Lilës me Millan Radoiçiqin”.

Paraprakisht u vu në votim propozimi për debat, me ç’rast 34 deputetë votuan për, ndërsa 50 ishin kundër.Në rendin e ditës të seancës kanë qenë të parapara 28 pika.