Tahiri i AAK-së për Qeverinë Kurti: Për katër vjet asnjë projekt nuk është përfunduar 

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se ka kërkuar që në Kuvendin e Kosovës, të ketë debat parlamentar për të diskutuar për qeverisjen e Albin Kurtit. Ky debat është vendosur të mbahet më 2 dhjetor.

Tahiri ka thënë se AAK e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishme që kërkesa e tyre për të pasur debat në Kuvend rreth kësaj teme të trajtohet, në mënyrë, që sipas tij, “të shpërfaqet qeverisja e dështuar e Kurtit”. 

Ai ka thënë se për katër vjet Qeveria Kurti nuk ka përmbyllur asnjë projekt dhe se paligjshmëria është normuar edhe në buxhet dhe në fusha të tjera përgjatë këtij mandati qeverisës. 

“Për katër vjet, për një mandat, asnjë projekt nuk është përmbyllë. Për katër vjet, për një mandat, kjo qeveri do të përshkruhet që e ka normuar paligjshmërinë në fusha të ndryshme”- ka thënë Tahiri, sot më 25.11.2024. 

Tahiri i AAK-së është shprehur se nëse kryeministri Albin Kurti nuk merr pjesë në këtë debat në Kuvend, atëherë “ai merr barrën e dështimit dhe synon që pak para zgjedhjeve të ikë e të mos ballafaqohet me punën e tij në qeveri”. 

Përveç kësaj Tahiri foli edhe për fjalimin vjetor të Presidentes, Vjosa Osmani në Kuvend, për çka tha se ky deklarim i saj është i vonshëm. 

“Deklarimi i presidentes është i vonshëm, ndërsa deklarata se nuk mund t’i besojmë Bashkimit Europian, unë as nuk i kuptoj, as nuk i mirëkuptoj, as nuk e di qysh mundet një institucion si Presidenca  me thanë: ‘unë nuk i besoj’. Qysh nuk i beson një institucioni që i ke ra në dy gjunjë e po kërkon me u anëtarësu, po kërkon me u ba vend kandidat, e po ia lypë 800 milionë euro nga Plani për Rritje”- ka thënë Tahiri. 

Ai ka shprehur edhe qëndrimin e AAK-së për buxhetin e miratuar nga Kuvendi për vitin 2025, për të cilin tha se “ky buxhet do të ndryshohet krejt, sepse do të vie një qeveri e re”. Buxheti 2025, sipas tij, meriton trajtim serioz dhe rishikim të plotë të tij.