Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri i AAK-së i reagon Ministrisë së Financave për çështjen e tatimit në pronë

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj njoftimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve lidhur me pagesën e tatimit në pronë.

Për këtë pagesë, Ministria ka thënë se mund të bëhet në dy këste dhe se afati për pagesën e këstit të parë është 30 prilli, ndërsa për këstin e dytë është fundi i muajit shtator.

“Ne si Qeveri veç se e kemi dërguar në Kuvend Projektligjin e ri për Tatimin në Pronë, i cili përmes një dispozite kalimtare mundëson faljen e deri në 100 euro të faturave për vitin 2023, mirëpo Projektligji ende nuk ka kaluar të dyja leximet në Kuvend” – thuhet në njoftim.

Mirëpo, sipas Tahirit ky rikujtim i Ministrisë ka vendosur në presion mijëra familje, duke thënë se qasja se 100 euro do të kompensohen me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Tatimin në Pronë, tregon, sipas deputetit, se kjo qeveri nuk i kupton hallet e as pamundësitë e qytetarëve.

“Pagesa kaq e lartë, sot është e pa përballueshme, e pajustifikueshme. E nisën me fajësime të komunave, e vazhduan me gënjeshtra e po e mbyllin me presion. Edhe vetë projektligji, ka hasur gjerësisht kundërshtimin e komunave, në vend se të prodhohen zgjidhje, po normohen edhe më tepër rritje” – thuhet në reagimin e Tahirit.

Ai po ashtu tha se e thërret ministrin të diskutojë me urgjencë me komunat këtë projektligj, më pas ta sjell atë në Kuvend, dhe ta ndalë, sipas tij, presionin e ndëshkimeve në këtë kohë të çmimeve të papërballueshme.

Tahiri ka thënë se duhet të shihen zgjidhje për zgjerim të grumbullimit të tatimit, sepse ai thotë se nuk mund t’u rëndohet barra atyre që po paguajnë plot fatura të dështimeve të institucioneve.

Ministria e Financave del me njoftim për afatin e pagesave për tatim në pronë