Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Tahiri i AAK-së: Buxheti i vitit 2025 është buxhet i territ
Gjatë deklarimit pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës më 28.10.2024, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se buxheti i vitit 2024 është “buxhet i territ”.
Kjo, ngase, sipas Tahirit, koordinimi i buxhetit në këtë Qeveri ka qenë totalisht i mbyllur dhe jotransparent.
Ai madje ka thënë se nëse nuk përfillet asnjë amendament i propozuar nga AAK-ja në Kuvend për buxhetin e vitit 2025 nuk do ta votojnë.
“Buxheti i vitit 2025 është buxheti i territ. Bëhet viti, mundohet të vijë në një seancë që sa më shpejt me e kontrabandu pa amendamente dhe dhe nëse nuk përfillet asnjë amendament i AAK-së, si ta votojmë?”- ka thënë Tahiri.
Sipas Tahirit, pas dorëheqjes së disa prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga kjo parti, është dashur të dorëhiqet edhe kryeminsitri, Albin Kurti, pasi më nuk i ka 61 deputetë në Kuvend.
“Si mund të mbështetet një qeveri e cila e ka humbur shumicën që i derivon prej qytetarëve të Kosovës. Kjo shumicë parlamentare, kjo qeveri, ky kryeminstër është dashtë të dorëhiqet në ditën kur i ka humbur 61 deputetët”- tha Tahiri
Tahiri i AAK-së ka akuzuar Qeverinë për mashtrime dhe zotime që, sipas tij, nuk u realizuan për çka tha se Qeveria Kurti e ka kthyer Kosovën prapa.
“Kjo qeveri dhe kjo shumicë parlamentare le që e ka kthy Kosovën prapa, mirëpo i ka dhënë goditjen më të madhe si në aspektin e forcimit të vetëbrendshëm në ekonomi dhe jetë, po ashtu edhe në dëmtimin e vetë subjektivitetit ndërkombëtar”- ka thënë ndër të tjera Besnik Tahiri.