Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Haradinaj nuk e takoi për qejf Radoiçiqin

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk e kishte takuar me dëshirë Millan Radoiçiqin, por për shkak të politikës.

Ai ka thënë se Haradinaj në atë kohë ka qenë kryeministër, ndërkaq i ka takuar të gjithë politikanët, edhe ata të Listës Serbe.

“Ramush Haradinaj tybe nuk e ka taku Millan Radoiçiqin, se i ka tre vëllezër në varr, një shtatë plagë në trup edhe një shtatë vjet në burg, jo për tendera, por për luftë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tybe për qejf nuk është takuar me Millan Radoiçiqin, e as për biznes as për kurrgjë. Për politikë, sepse kemi qenë në Qeveri, siç është sot me Listën Serbe Albin Kurti, e ka Goran Rakiqin ministër të vet, sot votojnë Lista Serbe me shumicën parlamentare, veç të kuptohemi”, u shpreh Tahiri në “RTV Dukagjini”.

Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe 11 serbë të tjerë nga Kosova janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së më 8 dhjetor.

Kurse, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte kritikuar për takimin me Millan Radoiçiqin.

Radoiçiq njihet si lideri “i padukshëm” i serbëve të veriut të Kosovës. Radoiçiq për një kohë të gjatë ishte në arrati pasi dyshohej për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Kryeministri i Kosovës kritikohet për takimin me “njeriun e fuqishëm” të veriut

.