Tahiri: Hapja e Ambasadës në Jerusalem - një nga ngjarjet më të rëndësishme në vitet e fundit

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Besnik Tahiri, ka thënë sot se hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në vitet e fundit.

Sipas Tahirit, më 4 shtator 2020, është nënshkruar Marrëveshja e Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit Trump dhe kryeministrit të Kosovës. Brenda Marrëveshjes është përfshirë njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit.

“Me arritjen e kësaj Marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës ka dhënë zotimin para Qeverisë së Izraelit dhe asaj Amerikane se do ta hapë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jeruzalem” tha Tahiri.

Ai shtoi se më 1 shkurt të këtij viti, Kosova dhe Izraeli përmes një ceremonie solemne (virtuale) nënshkruan marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

“Menjëherë pas vendosjes marrëdhënieve diplomatike, Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, z. Gabriel Ashkenazi ka zbuluar edhe pllakën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael, me seli në Jeruzalem”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Zëvendëskryeministri Tahiri tha edhe se lidhja e këtyre marrëdhënieve diplomatike është realizuar pas shumë konsultimesh me Qeverinë e Izraelit, me Administratën Trump dhe me Administratën e re Biden.