Tahiri: Gjyqësori temë e karakterit kombëtar, pati zhvillime thelbësore dy vitet e fundit

Në konferencën e përvjetorit të nëntë në Gjyqësorit të Kosovës, Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se sundimi i ligjit është temë e karakterit kombëtar që tejkalon politikën dhe përditshmërinë e saj.

“Shoqëria pret angazhim të plotë e të pa kompromis në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe në drejtësinë në të cilën besojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Sundimi i ligjit është temë e karakterit kombëtar, që tejkalon politikën dhe përditshmërinë e saj. Prandaj, ju jeni garancë e shtetit të ligjshëm, jeni garancë e barazisë para ligjit, pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve, dhe besimi i qytetarëve në drejtësi, varet ekskluzivisht nga puna e juaj e pavarur”, ka deklaruar Tahiri.

Ai shtoi se gjyqësori, ka pasur zhvillime thelbësore  dhe ka marrë një dimension të ri e kuptimplotë gjatë këtyre dy viteve të fundit.

“Kur jam emëruar ministër i Drejtësisë, 4 komunat veriore të vendit, ende nuk ishin pjesë e sistemit tonë gjyqësor. Sot, zbatohet një autoritet suprem gjyqësor në secilin qytet dhe në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, që ofron shërbime dhe zbaton drejtësinë për të gjithë qytetarët e vendit pa përjashtim, ashtu siç e ka përcaktuar Kushtetuta”, deklaroi ministri në detyrë Tahiri.

Ai tutje përmendi edhe rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionale, rritjen e pagave të tyre dhe pavarësinë e funksionimin e gjyqësorit gjatë periudhës dy vjeçare.

“Të gjitha këto, janë derivat i dialogut të mirëfilltë institucional që kemi pasur, i politikave publike si dhe ligjeve, për të cilat unë si Ministër jam angazhuar përgjatë dy viteve të fundit”, deklaroi ai.

“ Përmes rrafshit ligjor, kemi mundësuar themelimin e Departamentit Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, si dhe kemi rivënë në funksion Dhomën Speciale në Gjykatën Supreme. Kemi nisur bashkërisht reformën më të madhe në sistemin e drejtësisë, Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, i cili sot është në përmbyllje dhe që do t’i japë sistemit të drejtësisë, karakterin dhe identitetin e vet unik”, tregoi ministri Tahiri

Tutje ministri në detyrë tha edhe se është shënuar një punë e mirë edhe në reduktimin e lëndëve të pazgjidhura, ku përmendi rritjen e performancës së sitemit të drejtësisë.

“ Të gjitha këto masa, kanë lënë gjurmë në përditshmërinë e qytetarëve, kanë lënë gjurmë në konsolidimin e pushtetit të gjyqësorit dhe natyrisht se kanë lënë gjurmë edhe në raportet vendore e ndërkombëtare”, tha ministri Tahiri.

“Integrimi i plotë i Ndërmjetësimit është njëra nga to, ndryshimet në drejtësinë penale, të drejtat pronësore, kodifikimi i të drejtës civile që është në përmbyllje, si dhe ligjet tjera në luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar, juve të nderuar gjyqtarë, ju vënë qendër të zbatimit të ligjit”, deklaroi Tahiri.