Foto: PDK
Tahiri e quan joserioze deklaratën e Konjufcës për Asociacionin: Do të kishte vlerë para një viti
Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kundërshtuar deklaratën e kryekuvendarit, Glauk Konjufca, për çështjen e Ascociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pasi Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit u shpreh se BE-ja nuk ka kompetencë për të vendosur në emrin e Kosovës për asociacionin, Tahiri i PDK-së tha se kjo deklatratë e tij do të kishte vlerë para një viti dhe jo tani.
“I pamë dy Glauka, e pamë Glaukun e vitit 2023, ku thotë që duket që asociacioni është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nuk e thotë qëndrimin që ka tani që po imponohet, dhe e kemi Glaukun e fiks pas një viti ku tash del me një gjuhë krejt tjetër ku thotë që një gjë e tillë nuk mund t’i imponohet Republikës së Kosovës”- tha Tahiri.
Shefi parlamentar i PDK-së e konsideron joserioze qasjen e mazhorancës ndaj asociacionit duke thënë se të gjitha veprimet lidhur me këtë temë i bëjnë për çështje elektorale.
“Këta vërtetë janë joserioz. Këto nuk janë qëndrime të një burrështetasi, qëndrime shtetërore, kjo është situatë e mjerueshme … Kjo është Lëvizja Vetëvendosje, këta nuk kanë kurrfarë përcaktimi. Fatkeqësisht, gjithçka për ta është elektorale dhe nuk shihet interesi shtetëror”- është shprehur Tahiri.
Tutje, ai ka folur edhe për seancat e jashtëzakonshme që pritet t’i mbajnë gjatë kësaj jave, bashkë me grupet e tjera opozitare për shkarkimin e bordit të RTK-së dhe për diskutimet që pritet t’i mbajnë për, siç thotë ai, mundësinë e ndërhyrjeve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Ndërkaq, të mërkurën 30.10.2024, Tahiri njoftoi se si grup parlamentar do të kenë debat lidhur me migrimin e qytetarëve të Kosovës gjatë tri viteve të fundit.
Tahiri nuk u tregua optimist për votimin në Kuvend të pikave të propozuara nga mazhoranca, pasi sipas tij, vetë pozita i ka votuar vetëm një amandament të propozuar nga PDK-ja për katër vite në Kuvendin e Kosovës.
“Të gjitha ato amandamente që i kemi propozu, pas leximit të parë të buxhetit të Republikës së Kosovës, asnjë nuk kanë kalu. Pra, bashkëpunimin me opozitën e ka refuzu Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi”- tha Tahiri.
Në këtë mes i ka futur edhe votimin për marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxhetin.
“Marrëveshjet ndërkombëtare dhe çështjet e tjera, për të cilat këta duhet me i pasë 61 deputetë, normalisht që nuk i votojmë sepse normalisht që do të duhej me e pasë këta shumicën, e që tashmë nuk e kanë”- ka deklaruar Tahiri.
Përveç kësaj Tahiri ka kritikuar edhe kërkesën e kryeministrit, Albin Kurti, drejtuar presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, gjatë vizitës së fundit që von der Leyen ka pasur në Prishtinë.
“Kërkesa e kryeministrit tonë ishte heqja e masave të menjëhershme. Pra, jemi në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë. Kërkesa jonë nuk do të duhej me qenë e tillë, pra me i hjek masat, sepse s’do të duhej me pasë masa fare. Kërkesa jonë do të duhej me u rritë për asistencë ndaj Repubikës së Kosovës … por fatkeqësisht po kërkojnë me u hjek masat”- është shprehur Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën më 28.10.2024.
Në muajin qershor 2024, kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ua kishte dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës. Në raport është bërë ishte vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.
Se kur pritet që këto masa të hiqen përfundimisht, Komisioni Europian nuk ka një përgjigje konkrete, përveç asaj se “diskutimet po vazhdojnë”.
“Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”- thotë zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano, në një përgjigje për KALLXO.com, më 24.10.2024.