Tahiri: E dimë që njohja reciproke nuk është në dokument, por vendi duhet ta synojë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se marrëveshja është përmbyllur në ditën kur është dakorduar dokumenti i parimeve.

Sipas Tahirit, Kuvendi duhet të kërkojë përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çështjen e dialogut.

“Ne duhet të jemi të sinqertë me qytetarët e Kosovës, marrëveshja është përmbyllë në ditën kur është dakordu dokumenti i parimeve. Aneksi i cili është dakordu në Ohër është pjesë integrale e një marrëveshje që i jep detyrime palëve. Ne si Kuvend duhet të kërkojmë që duhet të përfshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë pjesë përbërëse e asaj trupe që i monitoron zbaton dhe ka të drejtën të jep BE-së vlerësime për hapat dhe mundësitë që duhet t`i krijohen Kosovës”- ka thënë Tahiri.

Tahiri ka kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti të mos e shfrytëzoj procesin e dialogut teksa shtoi se e dinë që në dokument nuk është njohja reciproke, por ka shtuar se në ketë dokument synohet ajo.

“Kryeministri mos ta humbë qëllimin, mos të shfrytëzojë këtë proces si diskutim mes pozitës dhe opozitës si luftë e pushtetit dhe opozitës. Të mos i ikë asnjë detaj dhe të përkushtohet në arritjen e njohjes reciproke. Ne e dijmë që në këtë dokument nuk është njohja reciproke, por synimi përfundimtar i vendit duhet të jetë njohja reciproke”- deklaroi ai.

Deputeti i AAK-së ka përmendur tre objektiva që sipas tij Kosova duhet të arrijë në fazën e parë të implementimit të marrëveshjes kornizë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“E para ka të bëjë me partneritetin për paqe, anëtarësimi në NATO. E dyta, Kosova në agjendën integruese evropiane duke e rikthyer procesin e njohjeve për Kosovës. E treta të rivendoset rendi dhe ligji në mbajtjen e zgjedhjeve atje”- theksoi ai.

Kryeministri Kurti po raporton para deputetëve të Kuvendit për takimin e Ohrit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Ndërkaq, Kurti dje ka folur për ofertën që thotë se ia ka bërë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për vetë-menaxhim të serbëve të Kosovës në takimin e Ohrit.

Kreu i ekzekutivit tha se gjatë bisedimeve, i ka bërë ofertë palës serbe që nëse të njëjtit pranojnë tri shtylla bazike, Kurti është shprehur i gatshëm që të shkruaj draftin për vetë-menaxhimin.

“Për ketë formulimin e vetë-menaxhimit të komunitetit serb, dhe në anën tjetër këto marrëveshjet e trashëguara, e që kanë pësuar rrëzim nga institucionet tona e janë shkelur nga Serbia, unë kam bërë një ofertë konkrete, duke i thënë se nëse pala serbe është dakord që të pranoj tri shtylla bazike; Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe një qëndrim të Brukselit dhe Uashingtonit se çka është dhe nuk është asociacioni, unë jam i gatshëm të shkruaj draftin”- tha Kurti.

I pari i Qeverisë u shpreh se nuk ka pasur dakordim që të përfillen shtyllat e përmendura teksa shtoi se kishte “refuzim shumë të ashpër të ofertës”.