Tahiri: Albin Kurti nuk mund ta pastrojë 'turpin' ndaj veteranëve me vizita te varrezat e dëshmorëve

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka kritikuar kryeministrin e vendit për vizitat që sot ai i ka bërë tek varrezat e dëshmoreve më rastin e 23 vjetorit të Ditës së Paqes.

Tahiri përmes një statusi në Facebook, ka thëne se kryeministri Kurti nuk mund ta pastrojë “turpin” ndaj veteranëve me vizitat e tij nëpër varreza të dëshmorëve.

“Turpin ndaj veteranëve, Albin Kurti nuk mund ta lajë me vizita nëpër varrezat e dëshmorëve. Liria si ndërgjegje ka qenë pjesë e pandashme e karakterit të popullit tonë përgjatë historisë, ndërsa sot para 23 vitesh, ajo e ka marrë edhe trajtën e realitetit konkret, falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleatëve tanë”, ka shkruar ndër të tjera Tahiri në facebook.

Java që lamë pas në Kosovë filloi me protesta e veteranëve në shenjë pakënaqësie për mos përfshirjen e veteranëve në rritjen e pagës minimale.

Kryeministri Kurti ka kërkuar që fillimisht të bëhet pastrimi i listave të veteranëve e më pas të rriten pensionet e veteranëve.

Postimi i plotë i Abelard Tahirit:

TURPIN NDAJ VETERANËVE, ALBIN KURTI NUK MUND TA LAJË ME VIZITA NËPËR VARREZAT E DËSHMORËVE.

Liria si ndërgjegje ka qenë pjesë e pandashme e karakterit të popullit tonë përgjatë historisë, ndërsa sot para 23 vitesh, ajo e ka marrë edhe trajtën e realitetit konkret, falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleatëve tanë.
Çlirimi ka ndodhur me 12 qershor, 1999, por sakrifica pararendëse për këtë datë të madhe të Kosovës është shekullore dhe shumëdimensionale. E kemi parë në aktet e mosnënshtrimit përgjatë viteve të 80-ta e 90-ta, ndërsa peshën e saj e kemi ndjerë shpirtërisht me flijimin e Komandantit Legjendar Adem Jashari me familjen e tij, ngjashëm siç edhe e kemi përjetuar fizikisht nga sakrifica e mijëra dëshmorëve e martirëve, burrave dhe grave të rënë për liri, si dhe mijëra viktimave civile e mijëra të zhdukurve dhunshëm gjatë luftës në vitet 1998-1999.
Përgjatë këtyre 23 viteve në liri, dimensioni politik i saj është përmbushur me shtetin tonë sovran, por domethënia e saj vazhdon të mos jetë e plotë, pa protagonistët që i kontribuan kësaj date, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e bashkëluftëtarë të tjerë, që padrejtësisht edhe sot janë duke u përballur me kapitullin e fundit të çlirimit.
23 vite në liri, nuk janë të mjaftueshme për të zënë hapin që na është mohuar padrejtësisht përgjatë historisë, por janë të mjaftueshme për të projektuar të ardhmen me të. Dhe të ardhme në liri, pa kujtuar e nderuar sakrificën e të gjithë burrave e grave të UÇK-së, nuk mund të ketë.
Fatkeqësisht, Albin Kurti dhe qeveria e udhëhequr prej tij, me vetëdije të plotë është duke u përpjekur të shkëpusë kujtimin dhe nderimin e kësaj sakrifice. Ai, ka kohë që e ka shpërfillur lavdinë dhe sakrificën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa tash që është në pushtet, këtë shpërfillje është duke e manifestuar edhe zyrtarisht.
Me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, ai është duke u përpjekur të lëkundë themelet e dinjitetit të këtyre burrave e grave që kanë lënë gjymtyrët nëpër çdo cep të Kosovës, atëkohë kur asaj ia kishin falur edhe jetën, edhe të ardhmen.
Me këtë veprim, Albin Kurti jo vetëm që është duke bërë padrejtësi ndaj më meritorëve për liri, por edhe duke u përpjekur të tjetërsojë të vërtetën historike mbi të cilën qëndron themeli i lirisë dhe pavarësisë sonë. Sepse ishin pikërisht ata, të cilëve ai po ua mohon një të drejtë legjitime e krejt të arsyeshme, të cilët për lirinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj, gjatë viteve 1998-1999 e kanë vendosur jetën në fije peri për çdo ditë. Sepse këta veteranë, nuk janë të atij rangu për t’u trajtuar si barrë për këtë shoqëri, por si patriotë që meritojnë respektin e plotë të secilit prej nesh dhe veçmas qeverisë, respekt të cilin qeveria dhe ky kryeministër nuk mund ta blejë, por gabon rëndë nëse mendon se mund ta injorojë.
Kjo sjellje e papërgjegjshme karshi veteranëve, është jo veç absurde, por edhe e pafalshme. Deficitet patriotike të Albin Kurtit, nuk mund të shërbejnë për larje hesapesh me ata që i kanë dalë zot vendit kur është dashtë më së shumti.
Prandaj kjo sjellje prej lavjerrësi e Kryeministrit Kurti, i cili sot paturpësisht viziton varrezat e dëshmorëve, përderisa injoron mijëra veteranë që kanë derdhur gjak e djersë pranë atyre që u përjetësuan, është asgjë më shumë se një dyfytyrësi.
Turpin ndaj veteranëve, Albin Kurti nuk mund ta lajë me vizita nëpër varrezat e dëshmorëve.
Të gjithë familjeve që kanë sakrifikuar për liri, të gjithë veteranëve e invalidëve të UÇK-së, që janë meritorë të njëmend për këtë ditë, Urime Dita e Çlirimit!