Foto: Besnik Tahiri, Facebook
Tahiri: Adnan Dibrani, shqiptari i parë nga Kosova që ka fituar mandatin e eurodeputetit
Adnan Dibrani pritet të jetë europedupeti i parë i lindur në Kosovë që do të përfaqësojë Suedinë në Parlamentin e Europës.
Kështu ka shkruar në Facebook, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri, duke ju referuar rezultateve preliminare dhe raportimeve të mediave suedeze.
“Rezultatet preliminare dhe raportimet e mediave suedeze po tregojnë se, z. Adnan Dibrani, është shqiptari i parë nga Kosova që ka fituar mandatin e eurodeputetit dhe nga sot, në 5 vitet e ardhshme do të jetë eurodeput në Parlamentin e Evropës. Adnani, ka lindur në Mitrovicë, si i ri emigroi në Suedi, atje kishte një angazhim të madh si qytetar aktiv” – ka shkruar Tahiri.
39-vjeçari ishte deputet në Parlamentin e Suedisë për tri mandate si dhe përfaqësues i saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku siç thotë Tahiri e ka ndihmuar shumë Kosovën.
Rezultatet preliminare, siç shkruan REL, tregojnë se partitë e qendrës, liberale dhe socialiste do të ruajnë shumicën në Parlamentin Evropian, por fitorja e së djathtës ekstreme u dha goditje të brendshme udhëheqësve të disa vendeve, përfshirë Francën dhe Gjermaninë.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor në të 27 vendet e Bashkimit Europian.