Tahiri (AAK): Qeveria Kurti rekordmene e shkeljeve të Kushtetutës
Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në seancën e mbajtur më 02.12.2024, e ka akuzuar Qeverinë Kurti 2 për shkelje rekorde të Kushtetutës.
Sipas Tahirit, përgjatë mandatit katërvjeçar të kësaj qeverie janë konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese nëntë raste të shkeljeve të tilla.
“Kjo qeveri është qeveria rekorde e shkeljeve kushtetuese. Përgjatë këtij mandati, 9 raste janë të konfirmuara në Gjykatën Kushtetuese si ligje antikushtetuese, që një nga një qëllim kanë pasur kapjen e shtetit dhe ekonomisë së lirë”- ka thënë ai.
Tahiri ka përmendur edhe një serë çështjesh tjera, që sipas tij, janë skandale, duke vënë theksin në rastin e Martin Berishajt dhe atij të Nagip Krasniqit.
“Skandali i dytë ndërlidhet me tenderët njëburimor. Çështja e tretë lidhet me skandalin e ambasadorit Martin Berishaj dhe pazareve që kanë ndodhur me energjinë, për të cilën qeveria duhet të deklarohet nëse ka qenë në dijeni. Ndërsa çështja e katërt ndërlidhet me skandalin në KEK, ku Nagip Krasniqi ka një aktakuzë… Sot kryeministri duhet t’u tregojë qytetarëve sesi u fal borxhi i ujit, si ndodhi skandali në RTK, e duhet të tregojë sesi e humbi rastin me ‘Counter Global’”- ka thënë ai.
Tahiri tutje ka thënë se Kurti duhet të tregojë pse i ka premtuar 160 çerdhe e janë funksionalizuar vetëm katër.
“Të na tregojë pse nuk u bë sigurimi shëndetësor, ku janë banimet për çifte, ku është punësimi, ku është lufta ndaj korrupsionit”- ka thënë Tahiri.
Në prag të përfundimit të mandatit, Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar lidhur me qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit, Albin Kurti.
Kjo seancë është propozuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 25.11.2024, nga deputeti Besnik Tahiri në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Qeveria Kurti 2 është votuar më 22 mars 2021, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.