Tahiri (AAK): Po e presim kapitullimin e Kurtit përmes dorëheqjes

Kryetari i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se debati në lidhje me rezolutën përmes të cilës po kërkohet shkarkimi apo dorëheqja e qeverisë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, nuk u zhvillua pasi nuk pati mjaftueshëm deputetë për të diskutuar dhe për t’u ballafaquar me qeverinë.

“Nuk pati deputetë për të diskutuar dhe për t’u ballafaquar me një Qeveri e cila është kampione e dështimeve të vendit. Kjo Qeveri nuk ka pse t’i dalë qytetarëve përpara”- deklaroi Tahiri.

Ai tha se po presin herët ose vonë “kapitullimin” e kryeministrit Kurti përmes dorëheqjes.

“Ne do të presim herët ose vonë kapitullimin e tij përmes dorëheqjes. Pra ka vetëm vonim se shpëtim nuk ka prej ballafaqimit të kryeministrin me opozitën. Debati do të ndodhë, është i protokolluar”- theksoi deputeti i AAK-së.

I pranishëm në seancën që përfundoi ende pa nisur mirë ishte edhe kryeministri Kurti.

Rezoluta e AAK-së, parashihte që pas dorëheqjes ose shkarkimit të Qeverisë, të shpërndahej edhe Kuvendi i Kosovës.

“Të gjithë parametrat e deritanishëm, sot në tre vjetorin e kësaj Qeverie, janë dëshmi se janë plotësuar të gjitha kushtet që qeveria ta përmbylle mandatin e saj me dorëheqje, ose mocion për shkarkimin e saj, të propozuar nga AAK”- thuhet në rezolutë.

Qeveria e Kosovës u votua më 22.03.2021 në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa ekzekutivi që drejton Albin Kurti ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.

Në anën tjetër, partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Nuk shqyrtohet rezoluta për dorëheqjen ose shkarkimin e Qeverisë, shtyhet seanca e thirrur nga AAK