Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: AAK-ja si parti opozitare refuzon ta votoj Qeverinë Kurti 2

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka uruar deputetët e legjislaturës së tetë për mandatin e ri.

“Urojmë që të kemi sa më shumë tema që na bashkojnë rreth të mirës së këtij vendi, në emër të AAK-së vlerësojmë që kjo seancë që do të duhej të ishte konstituive ka filluar me një rend jo demokratik. Fituesi ka zgjedhur procedurën para përmbajtjes, pra jemi një seancë që nuk ka përmbajte”, tha ai.

Tahiri kritikoi Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje si parti arbitrare.

“Qasja të cilën e ka marrë fituesi është qasje e një dominimi klasik i një qasje arbitrare e cila asnjëherë nuk i duhet vendit. AAK-ja ka qenë pjesë përbërëse e të gjitha proceseve shtet-formuese, sot ne po marrim përgjegjësi opozitarzimin”, tha ai.

Tahiri tha që AAK-ja nuk do ta votoj qeverinë Kurti 2.

“Logjika e Kurtit ka qenë gjithmonë kritika, dhe kurrë nuk ka qenë alternativa. Si subjekt politik opozitar duke refuzuar votimin për qeverinë kërkojmë të reflektoj në këtë temë”, tha ai.

Sot pritet që të votohet Qeveria Kurti 2.

Qeveria Kurti 1 ishte votuar më 3 shkurt të vitit të kaluar pas një koalicioni në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Qeveria e Kurti 1 është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa më 3 qershor, deputet votuan për Qeverinë Hoti, e cila erdhi pas koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ndërsa më 21 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese, e konstatoi se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, në këto zgjedhje LVV-ja së bashku më listën ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit u rendit e para me 438 mijë e 335 vota apo 50,280%.

Sot është konstituar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës. Kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca me 69 vota.