Besnik Tahiri nga AAK, seanca e Kuvendi 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Tahiri: AAK i ka dërguar komentet në ZRrE për rrymën

Kryetari i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se AAK i ka dërguar komentet e tyre në Zyrën e Rregullatorit për Energjinë Elektrike edhe në email por edhe përmes postës.

“Diskutimi apo çështja që e ngriti kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së rreth komenteve të AAK-së sa i përket shtrenjtimit të energjisë elektrike, dua të ritheksoj se në komentet tona i kemi dërguar me kohë, në email të ZRrE-së dhe përmes postës në hard copy”, ka deklaruar Tahiri.

Ai po ashtu ka thënë se si grup parlamentar do të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për të sjellë në diskutim ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Si grup parlamentar do të kërkojmë seancë të jashtëzakonshme shpresoj me mbledhje të nënshkrimeve për me kthy edhe njëherë një diskutim me 40 nënshkrime temën e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike”, ka shtuar Tahiri.

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila më parë i kritikoi grupet parlamentare se nuk i kanë dërguar komentet e tyre në ZRrE siç e parasheh ligji.

“Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka hapur periudhën e konsultimeve e cila ka qenë e hapur për dy jave dhe asnjëri as tjetri grup në procedure të konsultimeve nuk kanë dërguar në rrugë zyrtare siQ e parasheh ligji komentet e tyre në raport me propozimet e ZRrE-së”, ka thënë Kusari Lila.

“ZRrE është konsultuar të mos merren me komente politike por me dokumente zyrtare që rregullon fushën e tyre. Janë mekanizma tjerë të cilët mund të ndikojnë në zbutjen e ngritjes së çmimit njëjtë siç ka nda subvencionin. Ajo çfarë tentohet po se është shkelje e rendit kushtetues”, ka shtuar ajo.

Lidhur me deklaratën e Kusari-Lila që grupet tjera parlamentare nuk kanë dërguar komente në aftin e caktuar të ZRrE-së, ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami duke thënë se kjo është shpifje.

“Zonja Kusari vetëm sa shpifi kur përfshiu Lidhjen Demokratike të Kosovës në grupin e partive që nuk kanë dërgua komente në ZRrE. Mund ta dokumentoj edhe të protokolluar, komentet e LDK-së kanë shkuar në zyrat e  ZRrE-së, zyrën e kryeministrit, zyrat e ministrit të Financave dhe zyrën e ministres së Ekonomisë, andaj kërkoni falje për këtë shpifje”, ka thënë ajo.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu deklaroi se 80% e konsumatorëve janë që shpenzojnë nën 800 kilovat energji elektrike në muaj.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi që nga nesër, më 9 shkurt 2022.