Szunyog: Pritjet tona janë të mëdha për ngritjen e kapaciteteve në luftimin e korrupsionit

 

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, në fjalimin e tij me rastin e mbajtjes së Konferencës vjetore të Prokurorëve tha se, vazhdojnë të besojnë në mundësinë e arritjes së rezultateve më të mira, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Në këtë drejtim, lëndët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë më efikase dhe profesionale. Pritjet tona janë të mëdha kur flitet për specializimin në kuadër të Prokurorisë së Shtetit, veçanërisht kur flitet për PSRK-në”, tha shefi i Zyrës së BE.

Po ashtu ai tha se shpresojnë që, gjatë vitit 2021 më në fund të miratohet dhe të hyjë në fuqi drafti i Kodit të ri të Procedurës Penale.

“Legjislacioni i ri sjell disa ndryshime në procedurat penale, të cilat nëse zbatohen siç duhet shpresohet të kenë ndikim pozitiv në efektivitetin e ndjekjes penale të lëndëve”, tha ai.

Ai tha se në muajin tetor – 2020, për forcimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial Bashkimi Evropian lansoi Programin për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë. Program i cili do të zgjasë për 3 vitet e ardhshme.

“Prokuroria është një nga institucionet kyçe që mund të përfitojë nga ky projekt që zbatohet në bashkëpunim me shërbimet relevante në Gjermani, Holandë dhe Kroaci. Besoj se kjo është një mundësi e shkëlqyer që ju të punoni me homologët tuaj evropianë për forcimin e kapaciteteve tuaja”, tha Szunyog.

Në fund përmendi projektin e financuar nga BE-ja për Krimin Ekonomik, i njohur edhe si projekti PECK dhe tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë mbështetjen e veprimeve të Prokurorisë për sigurimin e një shërbimi prokurorial të pavarur, efikas, transparent dhe llogaridhënës.

“Përmes mentorimeve të drejtpërdrejta dhe trajnimeve në vendin e punës nga ekspertë të nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të Këshillit të Evropës, ky projekt mund t’u ndihmojë prokurorëve që punojnë për ndjekjen penale të krimeve më komplekse ekonomike. Shpresoj që prokuroria ta shfrytëzojë në mënyrë aktive të gjithë këtë mbështetje”, tha ai.