Szunyog: Për shkak të kohës, BE nuk është në gjendje të monitorojë zgjedhjet në veri

Shefi i Zyrës së Bashkimi Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është deklaruar sot lidhur me monitorimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës që pritet të mbahen më 18 dhjetor.

Szunyog në një konferencë për media ka thënë se BE, nuk është në gjendje të angazhojë një mision të plotë për këto zgjedhje.

Por, ai ka thënë se për këtë çështje janë ende në konsultime me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë dhe me Brukselin.

“Mund të them se ne po diskutojmë dhe monitorojmë përgatitjet e këtyre zgjedhjeve. Për shkak të kohës se shkurtër mes shpalljes dhe datës së caktuar ne nuk do të jemi në gjendje të angazhojmë një mision të plotë për këto zgjedhje por jemi ende në konsultime me KQZ, autoritetet e tjera dhe Brukselin se cfarë do të bëjmë”- ka thënë ai.

Ambasadori Szunyog ka thënë se BE ka ndihmuar themelimin e komisionit për reformën zgjedhore.

Tutje ka vlerësuar si hap i madh miratimin e ligjit për financimin e partive politike.

Shefi i misionit përcjellës të zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, Lukas Mandl ka folur për misionin dhe rekomandimet e BE-së për zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të viti 2021.

Ai ka përmendur disa nga rekomandimet e BE-së për këtë proces.

“Që nga 2013 kemi monitoruar të gjitha zgjedhjet, deri më tash nuk ka pasur përparime ne rekomandime për faktin e jo qëndrueshmërisë më koalicione. Rekomandimet fokusohen ne regjistrimin e votuesve nga jashtë Kosovës, caktimin anëtarë e të komisioneve, ridizajnimi apo pastrimi i listës se votuesve. Ne do të dalim me një raport publik” – ka thënë ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve  të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Dorëheqja e kryetarëve të 4 komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës të Drejtorisë Mitrovicë Veri. I njëjti u suspendua pasi u dyshua për rezistencë dhe refuzim të lëshimit të fletë-qortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Dorëheqje pati në Polici, sistem gjyqësor, nivel lokal, etj.