Szunyog: Kam besim të plotë që do të merret vendim për vizat para përfundimit të këtij viti

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka folur për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Szunyog tha se ai ka besim të plotë se që do të merret vendim për vizat para përfundimit të këtij viti.

“Për liberalizimin e vizave dua ta përgëzoj presidencën çeke që e ka vendosur në agjendë, kemi pasur dy takime të grupeve punuese, kështu që kam besim të plotë që do të merret vendim për vizat para përfundimit të këtij viti, le të shpresojmë që kjo do të ndodhë, dhe atëherë do ta heqim një problem nga tavolina”- ka thënë ai sot në Prishtinë.

Më 19 nëntor, Grupi Punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian ka mbajtur takimin e dytë për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe është bërë e ditur se për çështjen e vizave për Kosovën nuk është arritur konsensus, ndërsa tutje thuhet se shtetet anëtare bënë progres të rëndësishëm në negociata.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.

Zyra e BE-së në Kosovë dhe Shtëpia e Evropës sot kanë mbajtur diskutimin me temën “Raporti i Zgjerimit: Çfarë ka në të për Kosovën?”.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se kërkohet përparim më i shpejt nga Kosova drejt rrugës së saj për në BE.

“Në Kosovë për dallim nga raporti i vitit 2021 tash e kemi një qeveria ka stabilitet, kështu që nuk ka arsye përse Kosova nuk duhet të bëjë përparim më të shpejtë. Në fushat ku duhet përparim është fusha e parë – përformanca e Kuvendit, zgjedhjet lokale në fund të vitit ta kaluar ku Kuvendi nuk mblidhej dhe nuk kryente punën, ose kemi pasur raste ku nuk janë miratuar për shkak të mungesës së kuorumit, shohim telashe që e pengojnë Kuvendin”- tha ai.