Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sylë Hoxha: Kur është vrarë Oliver Ivanoviq janë fikur kamerat

Në emisionin “Kallxo Përnime” po debatohet rreth gjetjeve të hulumtimit të ekipit të KALLXO.com, i cili nxori në pah se dhjetëra kamera janë të vendosura në zona publike në veriun e vendit.

Hulumtimi tregoi se këto kamera nuk kontrollohen nga institucionet e Kosovës dhe se nuk dihet kush i menaxhon ato.

Ish-prokurori Sylë Hoxha ka folur për kohën kur ka ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Ai tha se në atë kohë janë fikur kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në zonën ku ka ndodhur krimi.

“Ne kemi pasur informata se në kohën kur është vra Oliver Ivanoviqi janë fikur kamerat të cilat kanë qenë të vendosura dhe nuk dihet kush i ka menaxhuar. Nuk na janë siguru si prova në atë kohë”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka thënë se atëherë nuk ka pasur kamera të sigurisë që i ka mbikëqyrur Policia e Kosovës.

“Gjatë hetimeve, se rastin unë e kam marrë më vonë nuk e kam pasur prej ditës së parë, por informacionet që m’i kanë sjellë Policia në kohën kur është vra Oliver Ivanoviqi kamerat përgjatë tërë rrugës prej Mitrovicës e deri në pikën kufitare kanë qenë të fikura”, ka shtuar tutje ish-prokurori Hoxha.

Hoxha ka treguar nëse ka nisur hetim i veçantë për këto kamera.

“Hetimet kanë qenë në kuadër të procedurës e cila është në zhvillim e sipër edhe sot e kësaj dite, dhe unë kam lëshuar në atë kohë urdhër arrest për Millan Radojiçiqin i cili e ka menaxhuar, i cili për fat të keq edhe sot e kësaj dite veriun e Kosovës e menaxhon në të gjitha aspektet”, ka thënë ai.

“Edhe Policia atje, edhe institucionet e tjera nuk kanë bashkëpunuar me neve, nuk na kanë dërguar provat nga vendi i ngjarjes”, ka shtuar Sylë Hoxha.

Tutje Hoxha tha se veriu ka nevojë për dorën e institucioneve të Kosovës dhe urgjentisht duhet të bëhet një strategji apo një plan për të vepruar në atë pjesë.

Në emisionin “Kallxo Pernime” mbrëmë është transmetuar hulumtimi për kamerat ilegale në veri të vendit.

Kush i kontrollon kamerat e vendosura në disa lokacione në veri të Kosovës?

www.kallxo.com