Syla: Vitin 2019 po e mbyllim me digjitalizimin e arkivit të Gjilanit
Drejtoria për Administratë e Përgjithshme në Gjilan, vitin 2019 po e përmbyllë me fillimin e projektit të rëndësishëm, digjitalizimi i arkivit të Komunës, që fillimisht përfshinë tri drejtori, Administratën, Urbanizmit dhe Kadastrin.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i këtij dikasteri, Bardhyl Syla në një konferencë për media, ku ka paraqitur punën e tij një vjeçare.
“Projekti i digjitalizimit të arkivit, mundëson qasje të shpejta dhe më të lehta të qytetarëve në kërkesat e tyre arkivore e njëkohësisht është i mirëpritur edhe për vetë zyrtarët e Komunës gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative te tyre. Jam shumë i lumtur për këtë”, ka thënë Syla.
I pari i Administratës në Gjilan ka konfirmuar se Qendra për Shërbime me Qytetarë ka qenë mjaft efikase dhe funksionale, ku janë pranuar 152,375.00 kërkesa nga palët, adresuar organeve komunale për shqyrtim dhe vendosje, janë përfunduar 146,402.00, kurse në proces janë 4,375 lëndë.
“Falë punës së stafit të përkushtuar, është arritur objektivi i synuar në lëshimin e dokumenteve të gjendjes civile, qoftë drejtpërdrejtë, qoftë përmes aplikimit online si dhe zhvillimin e procedurave administrative sipas kërkesave të palëve, ku gjithsej janë lëshuar dhe zhvilluar procedura administrative 124,682.00”, ka thënë Syla.
Ai ka njoftuar janë bërë përgatitjet për fillimin e ndërtimit të zyrës së Gjendjes Civile në lagjen Arbëria, e cila pritet të finalizohet në vitin 2020, ndërkaq duke folur për E-Kioskat, ka thënë se tashmë Komuna ka siguaruar kontratë me kontratë me operatorin ekonomik për rregullimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
“Falë një menaxhimi dhe kontrolli më të mirë në shfytëzimin e veturave të Komunës, krahasuar me vitet paraprake, kemi rënie të kilometrave, e po ashtu edhe rënie në shpenzime të derivative. Në vitin 2018 kemi pasur 212,496.00 kilometra të kalura, ndërsa në vitin 2019 kemi 190,976.00”, ka përfunduar Syla.