Syla: Shteti duhet t'i përkrahë ata që duan të investojnë në energji solare
Lulzim Syla nga kompania ‘Elen’, i ftuar në konferencën “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ka thënë se shteti duhet t’i përkrahë personat që janë të interesuar të investojnë në energji të ripërtërishme.
Sipas Sylës, Kosova ka burime të mjaftueshme të energjisë solare, ndërsa shteti duhet të përkrahë bizneset e familjet që duan të vendosin panele solare.
“Jo nuk është e shtrenjtë energjia e ripërtërishme për shkak se ka ndryshu teknologjia. Ajo çka kemi rekomandu ne si kompani është që me qëllim që me nxit konsumin është që të përdoret nga familjet me përkrahje kuptohet. Qeveria duhet të ketë vetëdije që të ndajë një fond mbështetës për familjet që me përdor energji të ripërtërishme dhe në këtë fond 20% me i nda për bizneset. Mund të prodhohen mbi 10 megavat me energji solare. Qeveria duhet të fillojë nga institucionet publike me vendosjen e paneleve solare. Energjia solare ka teknologji të sofistikuar që ka nevojë për mirëmbajtje dhe nëse Qeveria do të ndante fonde do të duhej edhe të qëndrojë mbrapa dhe të kujdeset”, tha Syla.
Në konferencën e moderuar nga Visar Prebreza morën pjesë Viktor Berishaj – Koordinator i Politikave të Energjisë për Evropën Juglindore në Rrjetin e Aksionit Klimatik (CAN) Evropë, Shend Boshjnjaku – Drejtor ekzekutiv i Green Energy Kosova dhe përfaqësues i OSHC (çështjet mjedisore), Lulzim Syla – CEO Elen (TBC), Albena Reshitaj – Deputete e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Hana Xhemajli – Hulumtues i Politikave Shëndetësore (TBC).
Reshitaj: Problemet mjedisore kanë adresë e emër të shkaktarëve të tyre
Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës” – “Ditët e Energjisë së Gjelbër”.
Temat e trajtuara në konferencën e diskutimit ishin të fokusuara në shëndetin dhe mirëqenien e mirë e popullatës, energji e pastër dhe financiarisht e përballueshme, si dhe qytete dhe komunitete të qëndrueshme. Në këtë konferencë do të diskutohet mbi lidhjen e ngushtë mes qëllimeve të caktuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm, progresit të cilin Kosova e ka bërë deri më tash dhe hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë drejt arritjes së këtyre qëllimeve dhe rrjedhimisht energjisë së pastër dhe popullatës së shëndetshme.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.