Svitlana Slipchenko: Sfida kryesore është të demaskojmë lajmet e rreme nga propaganda ruse

Svitlana Slipchenko, udhëheqëse e VoxCheck nga Ukraina, e cila momentalisht ndodhet në Kiev, thotë se për të nuk është e vështirë të verifikojë fakte në kohë lufte.

“Personalisht për mua nuk është vështirë të vazhdoj verifikimin e fakteve në kohë lufte. Në fakt, puna ime më ndihmon të jetoj në këtë situatë dhe të përballem me çdo gjë të keqe që ndodh në Ukrainë”, ka thënë ajo.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” tha se njerëzit në Ukrainë duhet të kuptojnë mashtrimet e propagandës ruse.

“Njerëzit si në Ukrainë, si në gjithë botën, duhet ta kuptojnë se cila është e vërteta dhe cilat janë mashtrimet dhe rrenat që i prodhon propaganda ruse. Prandaj, nuk e kam vështirë të qëndroj në Kiev dhe të luftoj dezinformimin sepse është me rëndësi dhe këtë mund ta bëj duke qenë në front të luftës”, shtoi ajo.

Slipchenko potencoi se më së shumti po përballen me postime nëpër rrjete sociale e qindra kanale në media ruse.

“Gjëja më e rëndë është sasia e madhe e dezinformimit. Shohim shumë lajme të rreme jo vetëm në Facebook dhe Instagram, por edhe qindra postime në kanale të Telegramit në media ruse. Po ashtu, e kemi kuptuar se lajmet e rreme nga Rusia kanë efekt jo për nga cilësia por edhe për nga numri i tyre. Pra, për nga numri i burimeve, dhe numri i burimeve ka efekt në njerëz në Rusi, në Ukrainë, në Evropë gjithandej, ” tha ajo.

Ajo shtoi se narrativi kryesor që kanë gjetur nga raportimet ruse ishte ai i bombardizmit të spitalit në Mariupol.

“Sot, narrativi kryesor që kemi gjetur ishte ai i bombardimit të klinikës së maternitetit në Mariupol. Rusia sërish jep narrative se nuk është bombarduar klinika e maternitetit në Mariupol. Prandaj, janë lajmet e rreme ato në të cilat duhet të fokusohemi më së shumti nesër”, shtoi ajo.

Sipas saj, sfida kryesore për ta është demaskimi i lajmeve të rreme nga Rusia.

“Sot, po presim ndonjë narrativ tjetër të madh që Rusia do ta përdorë nga të gjitha burimet e saja dhe do ta shpërndajë në Rusi, Ukrainë dhe Evropë. Prandaj, sfida kryesore është të gjejmë të gjitha lajmet e rreme që Rusia është në gjendje të prodhojë dhe t’i demaskojmë ato sa më shpejtë, në mënyrë që sa më shumë njerëz të mund të dijnë se cila është e vërteta dhe cila është rrena”, ka thënë Slipchenko.