Foto: Xhelal Sveçla/Facebook

Sveçla: Vazhdojmë me përkushtim maksimal që të luftojmë çdo grup kriminal

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se veturat e policisë kufitare janë sulmuar me mjete shpërthyese nga grupe kriminale sot në orët e hershme të mëngjesit.

Sveçla ka thënë gjendja shëndetësore e zyrtarëve policorë është e mirë dhe nuk ka dëme materiale.

Ai ka thënë se përkundër pesë sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policorë, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njejtë.

“Sot kam vizituar pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, Shaptej vendi ku ka ndodhur sulmi i mbrëmshëm, si dhe në Izvor e Trebickë, ku Policia jonë kufitare mbikëqyrë bllokimin e rrugëve ku më herët është zhvilluar kontrabanda. Përkundër 5 sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policor, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njëjtë e me vigjilencë të shtuar”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Vazhdojmë bashkë e me përkushtim maksimal që të luftojmë çdo grup kriminal që me aktivitete ilegale cënojnë sigurinë e vendit tonë”, ka thënë tutje ai.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 03:10 në Jarinjë është sulmuar një veturë e forcave të rendit me mjete shpërthyese.

“Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike). Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë”, thuhet në njoftim.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dje në konferencë për media ka thënë se brenda tri ditëve (13-15 prill) janë realizuar katër sulme të sinkronizuara në një territor ku sulmet kanë ndodhur shumë afër njëra tjetrës.

Sulmohen sërish forcat e rendit në veri, dyshohet se me mjete piroteknike