Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Sveçla: Udhëheqësit e universiteteve publike marrin shtesa më shumë se paga e tyre bazë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot në Kuvend tha se se gjendja aktuale lidhur me pagat që realizohen nga buxheti i shtetit është një katrahurë e vërtetë.

Sipas tij, sot sistemi i pagave dhe kompensimeve në sektorin publik rregullohet me përafërsisht 60 akte të ndryshme ligjore.

“Një numër i konsiderueshëm i pozitave të njëjta apo të krahasueshme janë të vlerësuara me nivele të ndryshme të pagave, shtesave dhe kompensimeve”, tha ai duke shtuar se kësisoj Ligji aktual nuk siguron pagë të njëjtë për punë të njëjtë.

Sveçla theksoi se Projektligji për pagat do të ofrojë zgjidhje në bazë të praktikave dhe përvojave më të mira të vendeve që kanë bërë reforma në lëmin e pagave.

Në analizën që sipas Sveçlës e ka bërë grupi punues, për gjendjen aktuale të pagave janë identifikuar shumë anomali.

“Pagë e ndryshme për punë të njëjtë, gjithashtu ekziston edhe një numër anomalik i shtesave – diku rreth 170 lloj shtesash, madje ka raste paradoksale kur shtesat në muaj kalojnë pagën bazë”, tha ai.

Për këtë, ministri dha shembull shtesat që marrin udhëheqësit e universiteteve publike në vend.

“Një shembull është rasti i dekanëve, rektorëve dhe prorektorëve të universiteteve publike ku shtesat tejkalojnë pagën bazë. Një dekan që paguhet 1 mijë e 500 euro nga shteti, i merr në muaj edhe 1 mijë e 700 – 800 euro shtesë. Raste të këtilla nuk mund të gjesh në asnjë shtet tjetër”, theksoi ai.

Sveçla shtoi se me Ligjin e ri askush nuk do të mund të marrë shtesa më shumë se 50 për qind e pagës bazë dhe se nuk do të mbesin më shumë se 20 lloje të shtesave, pasi sipas tij ka pasur keqpërdorime.

Pas diskutimeve ne Kuvend nuk ka pasur kuorum që të votojë rezolutën pas debatit parlamentar për Projektligjin e pagave, përmes së cilës kërkohej që Qeveria e Kosovës të sjellë këtë Projektligj në legjislativ.

Më 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shfuqizuar Ligjin për Pagat.

Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas Ligjit që ishte miratuar më 2019.

Dështon votimi i rezolutës që ia kërkon Qeverisë Projektligjin e pagave